Mbyllen qendrat e votimit

Maqedonia

Mbyllen qendrat e votimit

Më: 5 maj 2019 Në ora: 19:34
Foto ilustrim

Në orën 19:00, u mbyllën të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut në raundin e dytë të zgjedhjeve të gjashtë presidenciale.

Pas mbylljes së qendrave të votimit mund të votojnë vetëm personat të cilët në atë moment gjenden në mjediset e qendrave të votimit.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor në Maqedoninë Veriore ka bërë të ditur se është arritur censusi  në raundin e dytë të zgjedhjeve për president të vendit, pasi deri në ora 18.30 kanë votuar 44.5 për qind e qytetarëve.

Kreu i KSHZ-së Oliver Derkovski, në një konferencë për media ka bërë të ditur se nuk ka pasur parregullsi të theksuara, të cilat do të ndikonin në procesin e përgjithshëm.

Në garë aktualisht janë kandidatët Gordana Siljanovska-Davkova nga VRMO DPMNE dhe Stevo Pendarovski nga LSDM.

Në raundin e parë mori pjesë edhe kandidati shqiptar Blerim Reka, i cili mori vetëm 79921 apo 10.58% të votave.

Shtetasit e Maqedonisë zgjedhin sot presidentin e pestë të vendit. Më herët, ky shtet ka pasur këta presidentë: Gjorg Ivanov me dy mandate (2009-2019), Branko Cërvenkovski (2004-2009), Boris Trajkovski (1998-2003, ndërroi jetë si president) dhe Kiro Gligorov (1992-1998 – i mbijetoi atentatit).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat