“Fshesa” do të përfshijë zyrtarë qeveritar dhe partiak

Maqedonia

“Fshesa” do të përfshijë zyrtarë qeveritar dhe partiak

Më: 7 maj 2019 Në ora: 14:13
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Fshesa e kryeministrit Zoran Zaev do të përfshijë funksionar nga çdo nivel i pushtetit. Burime nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë bëjnë të ditur se i pari i këtij subjekti ka hartuar një listë me mbi 15 emra të cilët do të ndryshohen. Në të përfshihen nënkryetar partie, ministra, deputetë, kryetar komunash, drejtor dhe zyrtar të tjerë. Megjithatë socialdemokratët nuk japin emra derisa nuk mblidhen organet e partisë për të shqyrtuar propozimet e kryetarit të partisë. Në kuadër të rinkonstruimit, Zaev parashikon edhe ndryshime në kabinetin qeveritar. Në këtë drejtim, i pari i ekzekutivit që në fushatën presidenciale paralajmëroi ndryshime, si llogaridhënie për rezultatet e dobëta si në Qeveri ashtu edhe në parti.

E dini që zgjedhjet duhet të përfundojnë zyrtarisht që të mund të nisim procedura për emërime të reja. Unë jam përgjegjës për pushtetin ekzekutiv dhe këtu do të ketë ndryshime, pra duke filluar nga Qeveria, ministra, zëvendësministra, sekretar shtetëror dhe funksione në bazë të vertikales. Do të bëj ndryshime edhe aty ku kam kompetenca si kryetar, pra në LSDM”.- theksoi Zoran Zaev, Kryeministër

Jo zyrtarisht mësohet se pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Prokurorinë Publike, Ministria e Drejtësisë të jepet në këmbim më atë të Arsimit. Burimet bëjnë të ditur se Renata Deskoska, pritet të rikthehet në ministrinë e Arsimit, ndërsa dikasteri i Drejtësisë të drejtohet nga kuadër tjetër i BDI-së. Ndër resorët e përfolur ku edhe mund të priten ndryshime janë edhe Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Ministria e Bujqësisë, duke mos e përjashtuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë. BDI nga ana tjetër akoma nuk ka filluar ta shqyrtoj emrin e personit që do të udhëheq me Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.  Në kuadër të shqyrtimit, burime nga Integristët bëjnë të ditur se Gostivari dhe Tetova kërkojnë të përfaqësohen me ministri, duke mos u pajtuar me faktin që Kumanovës i janë dhënë dy poste ministrore. Partnerët e koalicionit nuk kanë shqyrtuar as fatin e Ministrisë së Kulturës. I pari i këtij resori, Asaf Ademi ditë më parë dha dorëheqje nga posti i ministrit për arsye shëndetësore. Në listën e resorëve ku pritet të ketë ndryshime kuadrosh, pritet të jetë edhe Ministria e Jashtme. Jo zyrtarisht Nikolla Dimitrov kërkon largimin nga posti i ministrit, duke mos bërë të ditura arsyet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat