Zaev: Gazifikimi zhvillohet me temp të mirë

Maqedonia

Zaev: Gazifikimi zhvillohet me temp të mirë

Më: 16 maj 2019 Në ora: 15:57
Zoran Zaev

“Maqedonia e Veriut është në binarin energjetik evropian, ndërsa zhvillimi i energjetikës është garanci e fuqishme për rritje të qëndrueshme ekonomike në afat të gjatë”, porositi kryeministri Zoran Zaev në hapjen solemne të Forumit energjetik të Maqedonisë 2019, që këtë vit po mbahet me moton “Tranzicion energjetik përmes burimeve të ripërtërira dhe efikasitet energjetik”.

Ai theksoi se vendi e filloi tranzicionin energjetik me miratimin e Ligjit të ri për energjetikë dhe shtoi se diversiteti në furnizim me energji elektrike është kyç për zhvillimin e shtetit.

“Tranzicionin efikas të vendit drejt ekonomisë konkurruese do ta përshpejtojmë me realizim të diversifikimit në furnizimin me rritjen e konkurrencës në tregjet evropiane dhe me rritje të shfrytëzimit të burimeve ripërtëritëse të energjisë. Në këtë drejtim me rëndësi të veçantë është sigurimi dhe kontinuiteti në furnizimin me energji të amvisërive dhe kompanive, uljen e emisioneve të gazrave të qelqta dhe përmirësim i gjendjes së përgjithshme të mjedisit jetësor”, tha Zaev.

Ai shtoi se ndërtimi i gazpërçuesve dhe sistemeve gazpërçuese zhvillohet me temp të mirë dhe shtoi se një pjesë e komunave tashmë kanë përgatitur dokumentacion për ndërtim të sistemeve distributive të gazit natyror, ndërsa në fazën finale hyn edhe procesi i ndërtimit të ndërlidhjes interkonektive me sistemin gazpërçues.

Ushtruesja e detyrës ambasadore e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Michaela Schwarzer-Bloom theksoi se SHBA-ja edhe deri më tani e ka mbështetur, ndërsa edhe më tej do të vazhdojë me mbështetje të zhvillimit të sektorit energjetik në Maqedoninë e Veriut.

“Teknologjia energjetike amerikane është e inkorporuar në disa nga infrastrukturat më të rëndësishme energjetike në rajon dhe më gjerë në Evropë. Shembull i këtillë është edhe bashkëpunimi me Greqinë për import të LNG gazit amerikan gjegjësisht gazit natyror të lëngshëm dhe në këtë drejtim e përshëndesim bashkëpunimin tuaj me Greqinë dhe ndërtimin e interkonektorit për gaz natyror”, tha Michaela Schwarzer-Bloom.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat