“S’ka bazë juridike për test droge për deputetët e Maqedonisë së Veriut”

Maqedonia

“S’ka bazë juridike për test droge për deputetët e Maqedonisë së Veriut”

Më: 17 maj 2019 Në ora: 17:11
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, e pranoi dhe e shqyrtoi Nismën e Grupit parlamentar të pavarur të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit për Maqedoni më të mirë, e cila ka të bëjë me kërkesën për testim vullnetar të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për narkotikë.

“Ju informojmë se, në Ligjin për deputetët, në Rregulloren për punën e Kuvendit dhe në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nuk ka bazë juridike sipas së cilës Kryetari dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut kishin mundur të realizojnë nismën e Grupit kuvendar të pavarur”, thonë nga kabineti i Xhaferit duke thënë se kushtet për kandidim, për zgjedhjen dhe për punën e deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë qartë të përkufizuara dhe së këndejmi, Kryetari i Kuvendit nuk mundet dhe nuk guxon të veprojë jashtë autorizimeve të veta ligjore.

Në njoftim gjithashtu theksohet se deputetët dhe të punësuarit në Kuvend shkojnë në kontrollime të rregullta sistematike, që janë vërtetim për gjendje e tyre shëndetësore dhe se kontrolli i fundit ka qenë në vitin 2017 ndërsa i ardhshmi do të jetë këtë vit.

Xhaferi mohon pohimet e koordinatorit të grupit kuvendar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski se kryetari i Kuvendit mundet edhe pa nismë të parashtruar formalisht të përcaktojë përgjegjësi të një deputeti.

“Në përputhje me Kodin për sjellje etike të deputetëve, Neni 15, kryetari i KRMV nuk ka kompetencë në procedurën për përcaktimin e bërjes së cenimeve të lehta dhe të rënda dhe për kumtimin e masave për deputetët”, thuhet në njoftimin e kabinetit të kryetarit Xhaferi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat