Nuk ka investime në zonën industriale ndërmjet Strugës dhe Ohrit

Maqedonia

Nuk ka investime në zonën industriale ndërmjet Strugës dhe Ohrit

Më: 19 maj 2019 Në ora: 19:57
Oher

Në vend që të sjellë një bum investimesh, zona zhvillimore teknologjike industriale midis Strugës dhe Ohrit është e zbrazët. Me përjashtim fabrikës së vetme të kompanisë gjermane ODV Elektrik e ndërtuar disa vjet më parë, në zonën nuk ka asnjë kapacitet tjetër. Nga Ndërmarrja Publike për Zonat Teknologjike të Zhvillimit Industrial (NP ZTZHI) për Alsat njoftuan se po bisedojnë me një investitor të ri.

“Ne jemi duke punuar në realizimin e një investimi të madh të një kompanie për të cilën mund të njoftojmë se është nga Kanadaja, por do të ishte e drejtë të lejojmë ta njoftojë vetë investitori”, njoftojnë nga NP ZTZHI.

Njoftime të tilla për investime ka pasur edhe në të kaluarën. Në një situatë të tillë, ish-ministri i Financave, Nikolla Popovski, komenton se nuk është e qëndrueshme nëpër gjithë vendin në shumë komuna të projektohen zona të tilla industriale.

“Jo vetëm në Strugë dhe Ohër, ka edhe shumë komuna ku nuk ka asnjë fabrikë. Pra, zakonisht zona në territor të tillë bëhen në dy tre vende dhe ku ka fuqi punëtore të arsimuar, nyje trafiku dhe energjie të përshtatshme, që zonat të kenë një lloj privilegji. Por, nëse i hapni ato kudo ata nuk mund të japin rezultat”, tha Nikolla Popovski, ish Ministër i Financave.

Disa nga biznesmenët lokal thonë se shteti nuk duhet t’i ndajë investitorët vendas dhe të huaj, por t’u japë atyre të njëjtat mundësi.

“Nuk ka investitorë të huaj dhe vendas në tregun evropian. Atje njohin investitorë, që kanë ide dhe qëllime dhe të cilët mund të sigurojnë mjete dhe të investojnë. Dhe shumë duhet të punohet në përditësimin e administratës publike dhe shtetërore. Te ne mund të presësh vite me radhë për leje të caktuara dhe duhet të lusësh disa njerëz që paguhen për atë që bëjnë. Duhet ti lusësh dhe t’u japësh privilegje të veçanta, që të të kryejnë një punë”, theksoi Mevmed Xhemailovski-biznesmen nga Struga.

Në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë 14 zona të lira ekonomike, por vetëm disa nga to janë funksionale me më shumë investitorë, në Bunarxhik afër Shkupit dhe në Shtip.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat