Spasovski dhe Remenski me argumente të ndryshme për shfrytëzimin e masës persona me identitet të fshehur

Maqedonia

Spasovski dhe Remenski me argumente të ndryshme për shfrytëzimin e masës persona me identitet të fshehur

Më: 20 maj 2019 Në ora: 17:20
Komisioni Kuvendor

Akoma është duke vijuar seanca e Komisionit kuvendor për Mbrojtje dhe Siguri në të cilën nga gjithsej 91, deri më tani janë shqyrtuar 40 amendamente të shtruara për Propozim-ligjin për Agjencinë për Siguri Kombëtare. Për këtë pikë, në rend dite është edhe Propozim ligji për koordinimin e bashkësisë së sigurisë dhe zbulimit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe nënkryetarja e Kuvendit, Frosina Tashevska Remenski, i përplasën argumentet rreth amendamentit lidhur me përdorimin e masës për shfrytëzimin e personave me identitet të fshehur. Derisa Remenski vlerëson se e drejtë diskrecioni shumë e madhe i është dhënë drejtorit të Agjencisë që të japë urdhra dhe të përcaktojë në cilin rast do të shfrytëzohet personi me identitet të fshehur, Spasovski vlerëson se nuk duhet të ngrihet niveli i Gjykatës Supreme të vendosë për atë se si do të shfrytëzohet kjo masë dhe në mënyrë plotësuese për arsye se në ligjin ekzistues për përdorimin e saj përcakton drejtori me rregulla nënligjore.

Remenski tha se duhet vetëm gjykata të jetë kompetente për dhënien e urdhrave dhe miratimit të masës për shfrytëzimin e personave me identitet të fshehur dhe jo drejtorit siç propozohet në Propozim-ligj.

“Gjykata dhe Prokuroria Publike janë përgjegjëse dhe organe kompetente të cilat mund ta vlerësojnë ligjshmërinë e urdhrit të dhënë për zbatimin e masës, që në Ligjin për procedurë penale është masë e veçantë hetimore dhe u nënshtrohet miratimeve serioze dhe argumentimit në pjesën e kërkesës për zbatim”, sqaroi ajo.

Lënia e mundësisë që drejtori të japë urdhër për shfrytëzimin e personave me identitetit të fshehur, potencoi, mund të çojë drejt keqpërdorimit.

“Ky është dyshim serioz i shprehur edhe prej debatit publik, duke e pasur parasysh se edhe në procedurat aktuale gjyqësore të PPS-së, në të cilat si dëshmitarë thirren persona të cilët kanë siguruar komunikime të ndjekura në mënyrë të paligjshme, në të cilat dëgjuam deklarata prej të akuzuarve dhe personave të cilët janë në aktakuzë se kanë qenë të angazhuar si agjentë, kanë kryer aktivitete të caktuara me urdhrin e personave të akuzuar në procedurën e PPS-së. Megjithatë, askush deri më tani nuk ka dhënë përgjigje nëse dhe në çfarë baze janë angazhuar këta persona. Po flas konkretisht për deklaratën e a.q. Ninxha, i cili doli me pohimin se ka qenë i angazhuar nga Drejtoria për kryerjen e detyrave speciale”, deklaroi Remenski. Shtoi se në kryerjen e detyrave të veta nga zbatimi i masës personi me identitet të fshehur, mundet në mënyrë hipotetike ta humb jetën e tij, të stimulojë kryerjen e veprës penale, të jetë autor i ndonjë vepre penale në zbatimin e masës me identitet të fshehur. Vetëm gjykata, nënvizoi, është ajo që mund të ndjekë procedura të përcaktojë nëse njohuritë e marra me masën për shfrytëzimin e personit me identitet të fshehur janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe janë të besueshme për udhëheqjen e ndonjë procedure, pavarësisht nëse bëhet fjalë për njohuri për vepër penale për të cilën do të veprojë prokurori publik ose bëhet fjalë për vlerësimin e ligjshmërisë së procedurës së vetë Agjencisë, e cila ka të drejtë edhe në mënyrë parandaluese të punojë.

Në argumentimin ministri Spasovski, i referohet edhe përvojave komparative gjegjësisht tha se lihet mundësia për operativitet më të madh të Agjencisë. Agjencia, përsëriti, nuk punon sipas Ligjit për procedurë penale por ka rol parandalues në mbrojtjen e rendit kushtetues të shtetit dhe krimit të organizuar.

“Në momentin kur do të vërtetohen indikacione të mjaftueshme dhe do të ketë dyshim serioz se dikush mund ta rrezikojë rendin kushtetues dhe ka grup për krim, atëherë masa ndërmerr Siguria Publike dhe atëherë kemi përcaktimin e masave të posaçme hetimore për Ligjin për procedurë penale. Edhe në këtë ligj nuk qëndron se gjykata përcakton masë të posaçme hetimore shfrytëzimin e personave me identitetit të fshehur për përgjimin dhe grumbullimin e informacioneve dhe të dhënave”, tha midis tjerash ministri Spasovski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat