Ali Ahmeti thërret për “vetting” si në Shqipëri dhe më shumë madje

Maqedonia

Ali Ahmeti thërret për “vetting” si në Shqipëri dhe më shumë madje

Më: 21 maj 2019 Në ora: 15:49
Ali Ahmeti

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sot ka bërë thirrje që në Maqedoni të Veriut të ketë një proces të ri ligjor në vend përmes të cilit do të verifikohej e kaluara profesionale dhe etike e pjesëtarëve të sistemit të ligjit dhe rendit siç edhe po ndodhë në Shqipëri, e madje edhe më shumë se në vendin fqinj.

Çështjen e nevojës së “vettingut” Ahmeti sot e ka biseduar me Drejtorin e Institutit Republikan (Amerikan) Ndërkombëtar (IRI) për Evropë, Pol Makarti dhe me drejtorin rezident të programit, Oven Paun.

Sipas komunikatës për mjetet e informimit nga BDI-ja, Ahmeti ka kërkuar që ky lloj verifikimi të përfshijë madje edhe funksionarët e posteve publike, pos atyre në strukturat e drejtësisë, përkatësisht ligjit e rendit.

“Ahmeti e theksoi nevojën për ‘vetting’ si formë të verifikimit të të gjithë bartësve të funksioneve publike në shtet që do të kontribuojë në sundim të ligjit, drejtësi jo selektive, luftë ndaj korrupsionit, transparencë më të madhe dhe t’i parandalojmë spekulimet dhe shpifjet,” thuhet në komunikatën nga zyra për shtyp e BDI-së pas takimit.

Makarti, siç thuhet në komunikatë, theksoi në takim me Ahmetin se IRI “do ta vazhdojë bashkëpunimin e suksesshëm me Bashkimin Demokratik për Integrim” dhe ai gjatë takimit ka prezantuar “programet për zhvillimin e qendrave analitike të partive politike, komunikimit, transparencës dhe luftës kundër korrupsionit”.

Mbetet e panjohur nëse kërkesa e Ali Ahmetit është biseduar edhe me partnerët qeveritarë: LSDM, PDSH, Alternativa dhe RDK.

Ahmeti disa herë ka bërë thirrje tek organet e drejtësisë që të mos kursejnë funksionarët e BDI-së nga hetimi lidhur me përfshirjen eventuale të tyre në korrupsion e mënyra të tjera të keqpërdorimit të posteve zyrtare.

Edhe më herët në opinionin publik në Maqedoni të Veriut ka pasur thirrje të ndryshme për një proces “vettingu” të njëjtë si në Shqipëri.

Pas presioneve të BE-së dhe SHBA-së në Shqipëri reformat në sistemin e drejtësisë filluan në vitin 2016. U miratuan ligje për këtë çështje me rëndësi në vendin kandidat për hyrje në BE dhe u themelua trupi për të verifikuar gjyqtarët e prokurorët, përkatësisht origjinën e pasurisë së tyre dhe etikën profesionale në zbatimin e detyrës.

Ky trup, Komisioni i Pavarur për Kualifikime (KPK), i shkarkoi rreth 40 gjyqtarë dhe prokurorë për shkak se ata kanë déshtuar për të justifikuar pasurinë e tyre, por edhe për shkak të keqpërdorimit të tjera të pozitës, përkatësisht etikës profesionale.

KPK-ja filloi procesin e verifikimit të tyre në fillim të vitit 2018. Njëqind 100 gjyqtarë dhe prokurorë do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga ana e KPK-së në Shqipëri.

E së fundi këtij procesi pritet t’i nënshtrohen edhe policët. Në fillim të shkurtit të këtij viti parlamenti shqiptar e formoi edhe Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit (KJV) i dizajnuar për të kontrolluar policët por edhe të pjesëtarëve të gardës kombëtare të Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat