Osmani: Hungaria është e interesuar për suksesin e perspektivave evropiane të Maqedonisë së Veriut

Maqedonia

Osmani: Hungaria është e interesuar për suksesin e perspektivave evropiane të Maqedonisë së Veriut

Më: 27 maj 2019 Në ora: 20:11
Pamje nga takimi

 Si mik i drejtpërdrejtë i Ballkanit Perëndimor, Republika e Hungarisë ka një interes të drejtpërdrejtë nga perspektivat evropiane të rajonit, duke krijuar një mjedis të qëndrueshëm edhe në pjesën më të gjerë të Evropës lindore dhe juglindore, si bazë për arritjen e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë e kontinentit gjithëpërfshirës, theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane  Bujar Osmani në takimin e  sotëm me ministrin hungarez  të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Sijarto në Budapest.

Siç njoftoi Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE) , Osmani në takim e theksoi  fillimin e negociatave me BE-në si element thelbësor jo vetëm për perspektivat evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por si sinjal i qartë për perspektivat evropiane të të gjitha vendeve nga Ballkani Perëndimor të cilët do të tregojnë përparim të mjaftueshëm në përputhje me rekomandimet evropiane.

“E vlerësojmë jashtëzakonisht mbështetjen e deritanishme nga ana e Republikës së Hungarisë, jo vetëm në kuadër të integrimeve evropiane të vendit, por edhe në përgjithësi, për zhvillimin në përgjithësi, si në pikëpamje politike ashtu edhe në atë ekonomike”, theksoi Osmani, duke shprehur mirënjohje për Ministrin Sijarto për mbështetjen nga ana e Hungarisë gjatë krizës me vërshimet në vend, si dhe pjesëmarrja aktive në kuadër të patrullave të përbashkëta kufitare në kufirin jugor.

Në takim u hapën edhe tema të tjera të cilat lidhin të dy vendet, ku u konstatua edhe bashkëpunimi i suksesshëm dhe miqësor për të cilën bashkëbiseduesit shprehën shpresë që kjo të vazhdojë dhe të përmirësohet edhe në periudhën e ardhshme.

Në kuadër të vizitës së punës në Hungari, Osmani më parë mbajti takim edhe me Sabolç Takaç, Ministrin shtetëror për Çështje Evropiane në zyrën e Kryeministrit dhe përfaqësues i Republikës së Hungarisë në Bashkimin Evropian, ku tema qendrore ishte mbështetja e Hungarisë në prag të samitit të ardhshëm të Bashkimit Evropian.

Pas Hungarisë, Osmani vazhdon me vizitë pune në Kroaci, në takim me Ministren për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, Marija Pejqinoviq Buriq, si dhe do të mbajë takim edhe me Kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvendin e Kroacisë, Domagoj Ivan Millosheviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat