Filloi stërvitja ushtarake “Goditja vendimtare” në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Filloi stërvitja ushtarake “Goditja vendimtare” në Maqedoninë e Veriut

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 17:46
ARM

Në Qendrën për mbështetje të stërvitjes “Krivollak” është bërë hapja solemne e stërvitjes “Goditja vendimtare” që është stërvitja më e madhe e cila deri më tani është mbajtur në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë stërvitje marrin pjesë 2.700 ushtarë nga gjashtë shtete. Ushtria e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e SHBA-ve do të marrin pjesë me nga rreth 1.300 ushtarë, Mali i Zi me 75, Shqipëria dhe Bullgaria me nga 25, si dhe Lituania me 10 ushtarë.

Në ceremoninë e hapjes, fjalime kishin zv/ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Bekim Maksuti dhe u.d. ambasadorja e SHBA-ve, Micaela Schweitzer-Bluhm. Përpos tyre, të pranishëm ishin edhe zv/ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Vytautas Umbrasas, si dhe ambasadorët e vendeve tjera pjesëmarrëse në stërvitje.

Zv/ministri Maksuti, në fjalimin e tij tha se stërvitja “Goditja vendimtare” realizohet në kohë të qëlluar, kur Maqedonia e Veriut po anëtarësohet në NATO.

“Maqedonia e Veriut në këtë vit bëhet anëtare e plotëfuqishme e Aleancës dhe për këtë për ne ka rëndësi të madhe mundësia për të zhvilluar ndërveprimin, që është kyç për funksionimin e Aleancës”, tha Maksuti, duke shtuar se organizimi i kësaj stërvitjeje dëshmon se Maqedonia e Veriut është e gatshme dhe ka kapacitete për t’u bërë pjesë e NATO-s.

U.d. ambasadorja e SHBA-ve, Micaela Schweitzer-Bluhm, në fjalës e saj falënderoi autoritetet për mirëpritjen e ushtarëve amerikanë që qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut, ku bëjnë pjesë edhe ushtarë të Gardës Kombëtare të Pensilvanisë.

“Stërvitjet multilaterale si ‘Goditja vendimtare’ luajnë rol të rëndësishëm në përforcimin e sigurisë sonë të përbashkët. Ato mundësojnë që ushtritë tona të mund të komunikojnë dhe të zbatojnë operacione të përbashkëta. Ato gjithashtu krijojnë lidhje mes ushtarëve tanë, duke ndërtuar mirëkuptim të ndërsjellë dhe lidhje personale që zgjasin dhe që na bëjnë më të fuqishëm të gjithë neve”, tha Schweitzer-Bluhm.

Stërvitja ushtarake “Goditja vendimtare” do të zgjasë deri më 9 korrik. Është paraparë që me këtë stërvitje ushtritë të punojnë në sinkronizim e forcave dhe kapaciteteve me të cilat disponojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat