PSP: “Bombat” e reja nuk burojnë nga ne

Maqedonia

PSP: “Bombat” e reja nuk burojnë nga ne

Më: 6 qershor 2019 Në ora: 13:20
Prokuroria Speciale Publike

Prokuroria Speciale Publike (PSP) përmes një kumtese për media informon se përgjimet e reja të publikuara në rrjetin social Facebook nuk burojnë nga ata.

“Bisedimet e reja të publikuara në Facebook në llogarinë ‘El Cheka’ nuk burojnë nga Prokuroria Speciale. Në këtë drejtim, sigurojmë opinionin se gjitha audio materialet që posedojmë ne, ruhen nën masa të rrepta të sigurisë, të cilat përfshijnë fizike, administrative dhe informatike”, thuhet në njoftimin e PSP-së.

Ata shtojnë se gjatë analizës dhe përpunimit të materialeve veprohet me rregullat e brendshme dhe procedurat për evidentimin e procesit të përgjimeve, si dhe detyrimit për respektimin e parimit të sekretit dhe mbrojtjes së privatësisë së qytetarëve dhe jetës familjare.

“Sërish theksojmë se PSP garanton sigurinë e materialeve që posedon dhe në këtë rast ftojmë të gjitha subjektet që kanë materiale të përgjuara, të njëjtat t’i dorëzojnë në PSP”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Ndryshe, ditëve të fundit në llogarinë “El Cheka” në Facebook janë publikuar përgjime të reja, të cilat kanë të bëjnë me udhëheqësinë e BDI-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat