Shkup: Konferencë për rolin e Islamit në mbrojtjen e identitetit shqiptar në RMV

Maqedonia

Shkup: Konferencë për rolin e Islamit në mbrojtjen e identitetit shqiptar në RMV

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 12:21
BFI-Shkup

Më 13 qershor 2019, në hapësirat e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, organizohet konferenca shkencore me titull ”Roli i Islamit në mbrojtjen e identitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut“. Konferenca organizohet mbi bazë të protokollit për bashkëpunim midis Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me Fakultetin e Shkencave Islame – Shkup, të nënshkruar kohë më parë.

Përveç hulumtuesve të dy institucioneve në fjalë, në Konferencë marrin pjesë edhe studiues të institucioneve të tjera shkencore e arsimore të vendit, si dhe të Republikës së Kosovës.

Fjalën përshëndetëse, nga subjekti fetar, e paraqiti Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Fort të nderuara zonja dhe zotërinj, miq dhe dashamirë të mendimit shkencor, të respektuar zotëri Skender Hasani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve, dhe zotëri Shaban Sulejmani, dekan i Fakultetit të Shkencave Islame, pjesëmarrës dhe mysafirë të Konferencës që i kushtohet rolit të Islamit në mbrojtjen e identitetit shqiptar në Maqedoni: Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi ne!” – tha kreu i komunitetit mysliman të Maqedonisë së Veriut.

Kam nderin dhe privilegjin – tha ai në vazhdim – të përshëndes këtë konferencë që do të trajtojë një temë kaq të rëndësishme, siç është kjo që është zgjedhur për trajtim dhe që mëton të ndriçojë sadopak shkencërisht një segment të kulturës e të traditës sonë, e cila, mjerisht, jo rrallëherë është keqinterpretuar në të kaluarën.

Në fakt, unë jam i ngazëllyer nga mundësia që po na ofrohet neve dhe mbarë opinionit të dëgjojmë vlerësimet e shkencëtarëve dhe të intelektualëve shqiptarë të proveniencës islame dhe asaj profane lidhur me rolin – pa dyshim të rëndësishëm – që ka pasur Islami në mbrojtjen dhe kultivimin e ndjesisë dhe të identitetit shqiptar këtu në Maqedoni.

Në situata dhe raste të ndryshme, për aq sa kam ditur, edhe vetë kam bërë përpjekje të flas e të shkruaj mbi këtë çështje, por këtë konferencë e konsideroj si një mundësi të veçantë për të dëgjuar e për të mësuar diçka të re. Pra, diçka që do ta begatojë dhe do ta forcojë vetëdijen dhe ndërgjegjen tonë lidhur me raportin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me Islamin në përgjithësi dhe me impaktin që ai historikisht e ka pasur në mbrojtjen dhe zhvillimin e identitetit të popullit shqiptar – vuri në dukje Sulejman ef. Rexhepi.

Ky popull, shpirti i njeriut shqiptar të Maqedonisë së Veriut, ndër shekuj në këto anë është ndihmuar nga përkatësia e vet islame, që t’i tejkalojë sfidat e shumta dhe t’u mbijetojë furtunave që kanë kërcënuar ta gllabërojnë identitetin dhe lashtësinë shqiptare.
Duke qenë fe që njeh dhe që respekton dallimet mes popujve dhe kulturave, Islami ka qenë digë që e ka mbrojtur identitetin shqiptar dhe ka lënë gjurmë të fuqishme në kujtesën tonë kolektive. Një meritë e këtillë madhore ndoshta dikur i është mohuar Islamit, por ja që sot mendimi i lirë dhe i shëndoshë shkencor gjithnjë e më shumë po i ndriçon dhe po i drejton paqartësitë dhe deformitetet e së kaluarës – tha ai.

Ju uroj punë të mbarë dhe suksese; paçit edhe shumë konferenca shkencore në të ardhmen; ju përgëzoj për kontributet tuaja për të sotmen dhe të nesërmen.

Të nderuar të pranishëm, të shkolluarit, respektivisht intelektualët e mirëfilltë Kurani famëlartë i përshkruan si kategori e cila më së tepërmi i frikësohet Allahut fuqiplotë, ndaj mund të themi: dijetarët kanë vend të veçantë tek Allahu i madhërishëm.


Paçit bekimin e Allahut përgjithmonë!

Krenohem që i madhi Zot më krijoi shqiptar; njëherësh, krenohem në pafundësi që për fe e kam Islamin, e cila fe asnjëherë nuk më ka lënë t’i tradhtoj vlerat e identitetit tim fetar-kombëtar.
Ju faleminderit; ju priftë e mbara në interes të qenies sonë. Amin.
Urime dhe suksese! – tha në fund të fjalës përshëndetëse Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut në konferencën shkencore “Roli i Islamit në mbrojtjen e identitetit shqiptar në RMV”, e cila organizohet më 13 qershor, 2019, në Shkup, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat