Mogerini: Mosçelja e negociatave në tetor, gabim i madh

Maqedonia

Mogerini: Mosçelja e negociatave në tetor, gabim i madh

Më: 6 korrik 2019 Në ora: 22:43
Mogerini

Shefja e diplomacisë së BE-së, Federika Mogerini thekson se BE-ja do të bënte gabim të madh nëse Maqedonisë së Veriut nuk do t’i jepte datën për bisedime.

Mogerini mbron idenë e presidentit francez, Emanuel Macron për zgjerim kredibil, por shton se e ardhja e vendeve të Ballkanit perëndimor është në BE dhe kjo mund të bëhet vetëm me qasje korrekte ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me theks të veçantë.

“Unë besoj se zgjerimi patjetër duhet të jetë kredibil. Në rast se vendet anëtare të BE-së nuk sjellin vendim për hapjen e negociatave posaçërisht me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që në tetor të këtij viti, do të jetë gabim i madh”,  theksoi Mogerini.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev thotë se vendet e BE-së nuk mund të përbuzin sukseset e Maqedonisë së Veriut dhe se në dhjetor pret që të hapen kapitujt 23-24.

“Vendimi është absorbuar por të gjitha vendet kanë edhe debat të brendshëm. Franca dhe Holanda kanë debatin e tyre të brendshëm. Një gjë është e sigurt, vendet anëtare nuk mund t’i përbuzin sukseset tona të cilat i kemi të përbashkëta, gjithashtu reformat të cilat i bëmë me konsensus. Marrëveshja u miratua me 2/3 e votave në Kuvend. Nuk ishte e lehtë kjo çështje”. – tha  Zaev.

Maqedonia e Veriut nuk arriti të merr datën e bisedimeve në muajin qershor ashtu siç ishte paralajmëruar. Kjo u bë për shkak të mungesës së vendimit nga Bundestagu.

Kancelarja Angela Merkel paralajmëroi se para tetorit, Gjermania do të vendos mbi çështjen për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë kur edhe pritet të jepet data për bisedimet para aderuese. Vendet e BE-së rekomandojnë vazhdimin e reformave dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat