Eliot Engel, në Shkup: Maqedonia e Veriut po ecën në shtegun e duhur

Maqedonia

Eliot Engel, në Shkup: Maqedonia e Veriut po ecën në shtegun e duhur

Më: 7 korrik 2019 Në ora: 09:09
Eliot Engel dhe Zoran Zaev

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, kryetar i Komisionit për punë të jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve, po qëndron për një vizitë në Maqedoninë e Veriut.

Ligjvënësi Engel me bashkëshorten dhe përfaqësues të Ambasadës amerikane në Shkup u prit të shtunën në mbrëmje nga kryeministri Zoran Zaev.

Sipas një njoftimi të zyrës së kryeministrit Zaev, zoti Engel ka shprehur mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për integrimet dhe qëndrueshmërinë e Maqedonisë së Veriut.

Në njoftim thuhet se është vlerësuar se “Republika e Maqedonisë së Veriut po ecën në shtegun e duhur, ndërsa janë çmuar politikat e saj të fqinjësisë së mirë, reformat, formimi i qeverisë gjithëpërfshirëse dhe për ngritjen e një shoqërie të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit”.

Kryeministri Zaev e ka njoftuar ligjvënësin amerikan me rezultatet e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë për çështjen e emrit dhe pritshmërinë e anëtarësimit në NATO, zhvillime këto që kanë shtuar, sipas tij, investimet e huaja në mbi 700 milionë dollarë në vend.

Maqedonia e Veriut pret që sivjet të bëhet vendi i 30 anëtar i NATO-s dhe shpreson që në vjeshtë të hap negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zoti Engel të dielën do të pritet nga zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë të Maqedonisë së Veriut. Vizita e tij në Shkup pason vizitat në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat