Dimitrov: Do të vazhdojmë të punojmë në krijimin e kushteve për lirinë e medieve

Maqedonia

Dimitrov: Do të vazhdojmë të punojmë në krijimin e kushteve për lirinë e medieve

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 19:42
Foto

Një delegacion i Qeverisë në përbërjen e të cilit janë ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe ministri përgjegjës për Komunikime, Llogaridhënie dhe Transparencë, Robert Popovski me ftesë të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, sot dhe nesër po qëndrojnë për vizitë pune në Londër.

Në ditën e parë të konferencës për lirinë e mediave, Dimitrovi pati fjalim në panelin “Liria e mediave në Ballkanin Perëndimor dhe mënyrat e reja të punës”, në të cilin bashkë me ministrin britanik për Evropë dhe Amerikë, Ser Alan Dankan dhe përfaqësues të mediave dhe të sektorit qytetar nga rajoni i Ballkanit Perëndimor diskutuan për sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni në sferën e medieve, kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme.

Ai foli për ndryshimet dhe masat konkrete të cilat Qeveria i ndërmori dhe vendosi për përmirësimin e lirisë së medieve, përmes transparencës dhe llogaridhënies së rritur drejtë medieve dhe drejtë qytetarëve, krijimin e kushteve për punë në media në mjedis të lirë përmes debatit të hapur politik kritik dhe raportimin e përforcuar mediatik, që është shënuar në mënyrë adekuate në Raportin e Komisionit Evropian dhe në raportin e Stejt Departamentit për të drejtat e njeriut.

Duke e cituar burrështetasin amerikan Stivenson: “Mediet e lira janë nëna e të gjitha lirive dhe e progresit tonë në liri”, Dimitrovi potencoi se Qeveria do të vazhdojë me përgjegjësi të punojë në krijimin e kushteve për lirinë e medieve, sepse e ka përgjegjësinë kryesore, por e theksoi edhe përgjegjësinë e gazetarëve dhe të këshillave redaktues që të punojnë sipas standardeve profesionale dhe etike.

Në ditën e dytë të konferencës, ministri Dimitrov nesër do të jetë folës në panel diskutimin “Çka mund të bëjnë Qeveritë që ta rrisin qëndrueshmërinë mediatike?”. Ai gjithashtu do të marrë pjesë edhe në sesionet plenare dhe darkën e punës në organizim të nikoqirit dhe bashkorganizatorit të konferencës, gjegjësisht me ministrat e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Kanadasë, Xheremi Hant dhe Kristia Friland.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat