Xhaferi nga Srebrenica: Ballkani të mos jetë më fuqi baruti

Maqedonia

Xhaferi nga Srebrenica: Ballkani të mos jetë më fuqi baruti

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 22:37
Talat Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi sot mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të masakrës së Srebrenicës.

Të jesh këtu sot, në këtë vend të pikëlluar, vend i cili gjëmon me qetësi e cila është më e zëshme se gjëma më e madhe është ndjenjë e dhimbshme. Pikëllimi dhe dhimbja ndjehen në çdo frymëmarrje, në çdo hap që bëhet mbi këtë truall. Por sërish, duhet me qenë i fortë dhe të bëhet hap dinjitoz, të nderohen viktimat e njohura dhe të panjohura, të zbuluara dhe akoma të pazbuluara që të tregojmë me vepër se jemi të vetëdijshëm për tragjedinë e madhe njerëzore, të dëshmojmë se kemi përgjegjësi dhe respekt njerëzor dhe moral, të inkurajohemi dhe të angazhohemi që kurrë mos harrohet, kurrë mos harrohet dhe kurrë mos përsëritet”, tha Xhaferi në fjalimin e tij për 24-vjetorin e gjenocidit në Srebrencicë.

Ai tha se të gjithë ne paraardhësit e të cilëve kanë jetuar këtu, edhe ne që tani jetojmë dhe krijojmë në këtë copë të rruzullit Tokësor dhe fëmijët dhe nipërit e të cilëve shpresojmë se do të vazhdojnë ti japin jetë këtij nënqielli, për fat të keq jetojmë të shënuar me nocionin se Ballkani është “fuçi baruti” një kazan që vlon vazhdimisht dhe se këtu gjithmonë mund të shkaktohet konflikt.

“Aq mirë njihemi ndërmjet veti, jemi të njohur me mikpritjen tonë, me raportin e ngrohtë dhe të kujdesshëm, të pazakontë bile për ca pjesë të planetit Tokë, dimë si të gëzohemi së bashku dhe si të ndajmë pikëllimin bashkë, për shkak se para së gjithash jemi njerëz, fqinjë, miq a mundet edhe familje… Kam shpresë dhe jam optimist se rajoni ndryshohet për të mirë, punët tani më shihen nëpër një prizëm tjetër, gjeneratat e reja të politikanëve janë mendje hapur, me botëkuptim të qartë, flasin për botë pa kufij, për mundësi të panumërta për mësim, për hulumtim, punë dhe zhvillim të të rinjve, për krahë të hapura gjerë dhe për maja të larta për arritje”, tha Xhaferi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat