Zaev shkarkon mbi 50 drejtorë dhe anëtarë të ndërmarrjeve shtetërore - Bota Sot
Zaev shkarkon mbi 50 drejtorë dhe anëtarë të ndërmarrjeve shtetërore

Maqedonia

Zaev shkarkon mbi 50 drejtorë dhe anëtarë të ndërmarrjeve shtetërore

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 16:14
Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, njoftoi se në procedurë qeveritare është vendimi për shkarkimin e mbi 50 drejtorëve dhe anëtarëve të ndërmarrjeve dhe agjencive shtetërore, për shkak të, siç tha, mungesës së rezultateve në menaxhimin me këto ndërmarrje.

Në mesin e drejtorëve të shkarkuar nga detyra janë edhe disa të kompanive të mëdha energjetike, si: “MEPSO”, “ELEM”, “Rrugët e Maqedonisë”, “Hekurudhat e Maqedonisë”, “Agjencia e Barërave”, Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, të shtëpive të shëndetit, të institucioneve kulturore e të tjerë.

Nga drejtorët e shkarkuar ka kuadro nga të gjitha partitë në pushtet, përfshirë edhe shqiptarë.

Largimi i tyre është paralajmëruar kohë me parë nga kryeministri Zaev, në kuadër të të ashtuquajturit operacioni “Fshesa”.

Zaev ka deklaruar se shumë drejtues të institucioneve nuk kanë treguar rezultate, andaj edhe do të largohen nga detyra.

Por, disa prej tyre largohen edhe për shkak të riformatimit të institucioneve, ku kanë ushtruar funksionet, siç është rasti me Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, e cila transformohet në Agjenci të Sigurisë Kombëtare.

Kryeministri Zaev, kohëve të fundit, është përballur me akuza të shumta jo vetëm nga opozita, por edhe nga opinioni më i gjerë për mungesë të rezultateve në punën e qeverisë dhe mosrealizimin e premtimeve të dhëna në fushatën zgjedhore.

Ai, në fillim të korrikut, ka bërë riformatimin e qeverisë, që nga opozita është vlerësuar si “farsë”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...