Disa fshatra të Gostivarit do të pajisen me rrjet kanalizimi

Maqedonia

Disa fshatra të Gostivarit do të pajisen me rrjet kanalizimi

Më: 18 korrik 2019 Në ora: 09:40
Kanalizimi

Disa fshatra dhe lagje në Komunën e Gostivarit, deri në fund të vitit do të pajisen me rrjet kanalizimi. Nga ndërmarrja publike për veprimtari komunale “Komunalec” sqarojnë se në këtë periudhë po punohet intensivisht në zgjerimin e rrjetit të kanalizimit dhe sipas vlerësimeve edhe dhjetë për qind e amvisërive do të kenë qasje drejt kanalizimit.

“Me këto aktivitete janë përfshirë amvisëritë të cilat deri më tani nuk ishin kyçur në rrjetin e kanalizimit. Planifikojmë në të ardhmen e afërt të vazhdohet me zgjerimin e rrjetit të kanalizimit edhe në disa fshatra përreth ku kanalizimi është i pjesërishëm. I tillë është rasti në fshatin Raven dhe disa lagje të qytetit ku nuk është i vendosur”, thotë Isak Lazami, drejtor i NP “Komunalec”.

Në fshatin Çajle po punohet në rrjetin e kanalizimit me gjatësi të përgjithshme prej 3.022 metrave me çka në këtë fshat të gjitha amvisëritë do të kenë kyçje në kanalizim. Në këtë fshat vendoset edhe linjë e re ujësjellësi, e gjatë 450 metra.

Në Banjicë të Epërme, ku deri më tani nuk ka pasur sistem për derdhje të ujërave të zeza, me përfundimin e ndërtimit të kanalizimit me gjatësi prej 3.199 metrave, i tërë fshati do të përfshihet me rrjet kanalizimi.

Po punohet intensivisht në ndërtimin e kanalizimit në fshatin Bellovishtë, ndërsa këto ditë filloi edhe ndërtimi i kanalizimit në një pjesë të lagjes Banjeshnicë.

Në fshatin Zdunje përfundoi vendosja e gypit, në rrjedhë është kompletimi dhe po asfaltohen pjesët e dëmtuara të rrugëve gjatë kryerjes së punëve ndërtimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat