Reagimi i Zaevit për burgosjen e ish-ushtarit të UÇK’së, Tomor Morinës - Bota Sot
Reagimi i Zaevit për burgosjen e ish-ushtarit të UÇK’së, Tomor Morinës

Maqedonia

Reagimi i Zaevit për burgosjen e ish-ushtarit të UÇK’së, Tomor Morinës

Më: 26 korrik 2019 Në ora: 16:36
Zoran Zaev

Me kërkesë të Prokurorisë, një gjyqtar i procedurës paraprake ka vendosur 30 ditë paraburgim ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, njoftoi Gjykata Themelore e Shkupit.

Vendimi është marrë në bazë të nenit 165, pika e parë të Kodit të Procedurës Penale.

Po ashtu, thuhet se për çështjen e ekstradimit do të vendosë Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Tomor Morina, u arrestua të mërkurën nga policia maqedonase, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë.

“Pas dëgjimit të personit në praninë e avokatit të tij, si dhe vlerësimit të fakteve dhe provave , gjyqtari i procedurës paraprake lëshoi një vendim që pranonte kërkesën e prokurorisë dhe urdhëroi që T.M të paraburgoset për 30 ditë ndërkaq në lidhje me procedurën e ekstradimit vendos Ministria e Drejtësisë”, tha deklarata.

I pyetur për të komentuar çështjen e arrestimit të ish-pjesëtarit të UÇK-së, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se do të respektohet ligji.

“Sundimi i ligjit dhe respektimi i rregulloreve dhe ligjeve ndërkombëtare është normë evropiane, të cilën unë dhe të gjithë ju e përfaqësojmë”, tha Zaev.

“Procedura kryhet nga prokurori kompetent, dhe për këtë vendos gjykatësi kompetent, as Zaev as Oliver Spasovski (ministri i Brendshëm), Agim Nuhiu (zëvendësministër i bBendshëm), dhe askush tjetër nga qeveria”, shtoi Zaev, duke thënë se Maqedonia e Veriut, sikurse Serbia, është anëtare e Interpolit.

Ai përmendi me këtë rast, faktin se Shkupi ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës, në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Organet e drejtësisë në Austri dhe Maqedoninë e Veriut, sikurse në Greqi dhe Britani të Madhe marrin vendimin për ekstradim. Institucionet përgjegjëse marrin vendimin në bazë të së drejtës për ekstradim ose jo. Kjo e drejtë e thotë qartë se ai është shtetas i Kosovës dhe jo i Serbisë dhe duhet të lirohet nga paraburgimi dhe të mos ndodhë ekstradimi”, ka thënë Zaev.

Sipas kryeministrit maqedonas, Interpoli tha se ai është shtetas i Serbisë.

“Kjo nuk është e vërtetë. Vendi ynë konfirmon se ai është një shtetas i Kosovës dhe ka një pasaportë nga Britania e Madhe dhe Kosova. Më së paku nga ajo që pres është të respektohen ligjet e këtij vendi”, tha Zaev.

Lidhur me arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Tomor Morina, të enjten, ka reaguar edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Bexhet Pacolli, duke thënë se Kosova nuk do të lejojë ekstradimin e Morinës.

Kryediplomati kosovar tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë për lirimin e tij, si dhe i bëri thirrje Shkupit të hedhë poshtë “urdhërat politike për arreste të lëshuara nga Beogradi”.

“Nuk do të lejojmë ekstradimin e asnjë qytetari tonë bazuar në fletë-arrestet e lëshuara nga Beogradi. Kjo është vijë e kuqe për Kosovën” ka thënë Pacolli./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...