Maqedoni, temperaturat e larta rrisin rrezikun nga zjarret

Maqedonia

Maqedoni, temperaturat e larta rrisin rrezikun nga zjarret

Më: 27 korrik 2019 Në ora: 17:29
Ilustrim

Temperaturat e larta të ditëve të fundit tashmë kanë dhënë paralajmërimin për mundësinë e paraqitjes së zjarreve në ambiente të hapura. I nxehti përvëlues madje ka shtuar edhe përgatitjet e institucioneve përkatëse për çdo zjarr të mundshëm. Nga njësia Zjarrfikëse në Shkup shprehen të gatshëm ndaj çdo lloj intervenimi por kujtojnë se realizimi i tij mund të jetë edhe i vështirë për shkak të automjeteve të vjetërsuara dhe numrit të vogël të zjarrfikësve.

“Mungesa e zjarrfikësve është në përgjithësi, në qoftë se ndodhin zjarre në hapësirë atëherë duhet të angazhohen më tepër njerëz, atëherë ekipi që mbetet për zjarret urbane është me numër të zvogëluar dhe kështu që do të kemi problem, shpresojmë që organet kompetente të marrin ndonjë zgjedhje, të bëjnë ndonjë zgjidhje për shembull me angazhimin e zjarrfikësve vullnetar apo me angazhimin e njerëzve të cilët do të trajnohen. Nuk e di, mirëpo, është numër I vogël relativisht, për këtë sezon është numër i vogël i zjarrfikësve”, tha Nuredin Mustafa, zëvendëskomandant i zjarrfikësve.

Njësia zjarrfikëse posedon mbi 45 automjete kundër zjarrit ndërsa në funksion janë vetëm 10 prej tyre.

“Një ndër makinat më të vjetra që gjendet në garazhin e njësisë zjarrfikëse është edhe kjo që po shihni mbrapa meje. Është në funksion thuajse rreth 50 vjet. Në rast se merr pjesë në aktivitetet për shuarjen e zjarrit, kjo makinë punon me pluhur të thatë”.

Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim thonë se në pika të ndryshme të vendit kanë vendosur automjete zjarrfikëse dhe të ambulancës për çdo zjarr të mundshëm. Ngjashëm me qendrën zjarrfikëse, edhe në mbrojtje dhe shpëtim ka mungesë të mjeteve të caktuara për punë dhe kuadër.

“Nuk presim përshkallëzime të mëdha, këtë vit jemi mjaft të përgatitur krahasuar me vitet e kaluara kur kishim probleme teknike me pajisjet dhe shumë të tjera. Këtë vit u furnizua një pjesë e caktuar e pajisjeve që do ndihmojnë shpejtë në zgjidhjen e problemeve në teren. Do të ishte i mirëseardhur kuadër I ri që do të mund të ballafaqohej me ngjarje të këtij lloji. E rëndësishme është ta duan këtë profesion sepse është mjaft I vështirë”,pohoi Ivica Naumovski, nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Në gjendje gatishmërie është edhe Qendra për Menaxhim me Kriza ndërkohë që nga Enti hidrometeorologjik thonë se i nxehti do të vazhdojë të na shoqëroj deri nga gjysma e javës që vjen pas çka pritet ulje e temperaturës për disa gradë celsius.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat