Vetëm në vitin 2018, afër 19 mijë banorë ikën nga Maqedonia

Maqedonia

Vetëm në vitin 2018, afër 19 mijë banorë ikën nga Maqedonia

Më: 3 gusht 2019 Në ora: 20:07
Foto ilustrim

Rritet numri i shtetasve të Maqedonisë të cilët për çdo ditë po shpërngulen nga vendi. Vetëm në vitin 2018 gjithsej 18.478 shtetas të Maqedonisë kanë kërkuar fatin në Gjermani. Nga ata, 7.812 kanë qëndruar në Gjermani edhe në vitin 2019, ndërsa 10.666 janë kthyer në vendlindje.

Në krahasim me vitin 2017, numri i personave të cilët kanë qëndruar në Gjermani për punë është rritur për 30%, përcjell Dojçe Vele duke u thirrur në informacione të Byrosë gjermane për statistikë. Të dhënat e Byrosë gjermane për statistikë kanë treguar se intensiteti është në rritje i numrit të të shpërngulurve nga Maqedonia, ndërsa ky fenomen – sipas tyre, ka filluar që nga viti 2011 atëherë kur në Gjermani kishin arritur rreth 5679 persona të cilët kishin vendosur të lëshojnë vendin për një jetë më të mirë, mirëpo prej atyre kanë ngelur vetëm 495. Rritja më e madhe e numrit të të shpërngulurve është regjistruar në vitin 2015 atëherë kur në “tokën e premtuar gjermane” kishin arritur 25 mijë persona vetëm nga Maqedonia. Është vërtetë e frikshme pasi që numri që kanë shkuar në Gjermani nga Maqedonia tani prek shifrën e 100.000 mijë persona.

Dikur pjesë e Jugosllavisë, Ballkani Perëndimor tradicionalisht ka përjetuar nivele të larta emigracioni. Largimi i qytetarëve nga rajoni u rrit në fillim të viteve 1960, një periudhë në të cilën Jugosllavia kishte të njëjtat nivele papunësie me ato nivele që ka rajoni sot. Me shpresën për të lehtësuar presionin në tregun e punës dhe në ekonominë më të gjerë, si dhe duke njohur mundësitë që paraqiten jashtë kufijve të saj, qeveria jugosllave preferoi t’i lejonte punonjësit e papunë të lëviznin jashtë vendit, me mundësinë që ata të fitonin aftësi të reja, të dërgonin remitanca në shtëpitë e tyre, si dhe të ndihmonin në fuqizimin e investimeve vendase.

Në pikun më të lartë, në mesin e viteve 1970, rreth 1.1 milionë punëtorë, shumica e të cilëve nga mosha 20 deri në 45 vjeç, u larguan nga Jugosllavia. Kjo ishte një shifër domethënëse për një komb me rreth 20 milionë banorë. Midis këtyre emigrantëve, pjesa më e madhe e të cilëve burra, kishte shumë fermerë me fare pak arsim, por edhe banorë nga qytetet. Por emigracioni nuk i zgjidhi problemet e qeverisë. Edhe pse punëtorët emigrantë dërgonin remitanca në vendin e tyre, paratë kishin pak ndikim në investime dhe në faktorë të tjerë, të cilët mbështesnin strukturën e ekonomisë. Shumica e parave financonin blerje të mallrave të konsumit. Megjithatë, rrjedhja masive e njerëzve ndryshoi qëndrimet publike ndaj emigracionit, duke hapur dyert për shumë të tjerë të bënin të njëjtën gjë.

Shpërbërja e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, konfliktet e dhunshme dhe një tranzicion i ngadaltë nga një ekonomi e centralizuar te tregjet e hapura nxitën edhe një herë një emigrimin masiv nga Ballkani Perëndimor, duke zgjeruar komunitetet tashmë të mëdha në diasporë. Nga fundi i vitit 2013, 5.7 milionë njerëz me origjinë nga Ballkani Perëndimor jetonin jashtë vendeve të tyre, duke e çuar normën mesatare të emigrimit në rajon në 31.2%.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat