Eurobarometer: Qytetarët e Maqedonisë janë për BE, problemet e tyre më të mëdha janë ekonomia dhe papunësia

Maqedonia

Eurobarometer: Qytetarët e Maqedonisë janë për BE, problemet e tyre më të mëdha janë ekonomia dhe papunësia

Më: 6 gusht 2019 Në ora: 12:06
Foto ilustrim

Besimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në BE është 57 për qind dhe shënon rënie prej gjashtë përqind nëse krahason me vjeshtën e vitit të kaluar. Megjithatë, 68 përqind e qytetarëve mendojnë se anëtarësimi në BE do të ishte i mirë për vendin, kundrejt 16 përqindshit që kanë qëndrim të kundërt. 72 përqind e qytetarëve mendojnë se vendi ka përfitime nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Këtë e thonë të dhënat e hulumtimit standard të Eurobarometer që u zbatua pas zgjedhjeve evropiane mes 7 qershorit dhe 7 korrikut të këtij viti në 28 vende anëtarë të BE-së dhe në pesë vende kandidate.

48 përqind e qytetarëve të BE-së japin mbështetje për anëtarësim të shteteve të reja, që është një rritje prej 3 përqind në krahasim me vjeshtën e vitit 2018. Përkrahje më të madhe për zgjerim japin spanjollët, polakët, lituanezët, hungarezët dhe sllovenët ndërsa përkrahje më të zbehtë ka pasur në Holandë, Francë dhe Gjermani. Megjithatë, në Francë dhe Gjermani, në krahasim me raportin e fundit, ka rritje prej 2 përqind të atyre që janë për anëtarësimin e vendeve të reja.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut cekin dy probleme të mëdha me të cilën ballafaqohet vendi dhe këto probleme janë  gjendja ekonomike dhe papunësia.

Në pyetjen se sa janë të kënaqur me jetesën, 67 përqind e qytetarëve të anketuar në vend janë përgjigjur se janë të kënaqur, 33 përqind të pakënaqur. Në pyetjen nëse presin jetë më të mirë në 12 muajt e ardhshme, 33 përqind janë përgjigjur pozitivisht, 16 përqind negativisht, ndërsa 50 përqindëshi është i të mendimit se jetesa do të mbetet e njëjtë.

Situatën e përgjithshme në vend për momentin si të mirë e kanë vlerësuar 47 përqind e të anketuarve që është për 10 përqind më shumë në krahasim me hulumtimin e kaluar.

Gjendjen ekonomike në përgjithësi të mirë e vlerësojnë 36 përqind e qytetarëve që shënon edhe rritje për 8 për qind, dhe si të keqe 62 e qytetarëve.

Qytetarët e Maqedonisë në pyetjen nëse presin përmirësim të gjendjes në përgjithësi, me 12 përqind janë përgjigjur se do të jetë më keq, 40 përqind janë të mendimit se gjendje do të mbetet e njëjtë.

Besimi në Qeveri është 33 përqind, në Kuvend 31 përqind, por te të dy institucionet ka rritje prej 3 përqind në krahasim me rezultatet e hulumtimi të kaluar. Besimi te partitë politike është 20 përqind kundrejt 77 përqindëshit që nuk kanë. Mediave ju besojnë 36 përqind, dhe 62 përqind e të anketuarve nuk u besojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat