Deri në fund të vitit 2027, të gjitha qytetet e Maqedonisë do të kenë sinjal 5G

Maqedonia

Deri në fund të vitit 2027, të gjitha qytetet e Maqedonisë do të kenë sinjal 5G

Më: 7 gusht 2019 Në ora: 10:47
Foto ilustrim

Deri në vitin 2025 të gjitha vendbanimet urbane , korridoret rrugore dhe hekurudhore në BE do të mbulohen me sinjal të teknologjisë 5g. Edhe Maqedonia e Veriut është duke e përgatitur procesin për përdorimin e teknologjisë 5G, teknologji kjo e cila mundëson konsumatorët që të kenë internet më të shpejtë për gati 100 herë sesa e përdorin aktualisht. N jë nga qytetet më të mëdha që sipas të gjithë gjasave do të jetë Shkupi të jetë i mbuluar me sinjalin 5G.

Pritet që deri në fund të vitit 2027 të gjitha qytetet në vend do të mbulohen me sinjal të 5G , ndërsa deri në fund të vitit 2029 çdo qytetarë do të ketë qasje ndaj internetit me shpejtësi minimale prej 100 Mbps. Përfitimet nga 5g teknologjia që do të jetë për 10 deri 100 herë e shpejtë se teknologjia 4G do të mundësojnë shkarkimin e një filmi për disa sekonda, ndërsa shpejtësia e madhe e bartjes të së dhënave pritet të sjellë përfitime të shumta edhe në transport, energjetikë, industri, shëndetësia, banka, shërbime komunale, mediat apo industria e zbavitjes. Bile analizat e Komisionit Evropian tregojnë se të ardhurat globale nga teknologjia 5G deri në vitin 2025 do të arrijnë në 225 miliardë euro, andaj Brukseli vlerëson se ajo është kyçe për konkurrencën e Evropës në tregun global.

Kohë më parë, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, theksoi se në botë do të kemi edhe digjitalizim global si rrjedhojë e teknologjisë së re.

“Kjo teknologji pritet që me shpejtësinë e saj të madhe të sjellë një evolucion të vërtetë digjital, të nxisë rritjen ekonomike, inovacionin dhe mirëqenien. Njëherazi individë dhe makineri do të komunikojnë dhe ndajnë informacione në mënyrë të panjohur deri tani, ndërsa nuk do të ketë shumë aktivitete njerëzore që nuk do të mbështeten nga cyber infrastruktura”, thekson Mançevski.

Në ndërkohë pritet që teknologjia e re të ofrojë mundësi të mëdha për zhvillimin e bizneseve të reja, për shkak se bartja e informacioneve pritet të jetë resursi më i kërkuar në vitet e ardhshme.

“Kjo teknologji paraqet një autostradë të madhe që do të mundësojë transportin në çast të numrit të madh të informacioneve në largësi të mëdha, me çka do të mundësohet zhvillimi i ideve dhe hapja e bizneseve të reja , që ndoshta për momentin janë edhe ta paimagjinueshme si dhe do të hapë perspektivën për zhvillim më të shpejtë ekonomik. Me fjalë të tjera 5g do të rrisë potencialin teknologjik dhe mundësitë e tërë shoqërisë duke mundësuar edhe rritjen e cilësisë së jetesës”, thotë profesoresha universitare, Liljana Gavrillovska.

Në ndërkohë, pritet që nga viti 2020, teknologjia e gjeneratës së pestë të fillojë të zbatohet në një pjesë të shteteve në botë. Aktualisht prej muajit të kaluar, operatori britanik EE i pari ka mundësuar përdorimin e rrjetit 5G në Britaninë e madhe në Londër, Edinburg, Kardif, Belfast, Birmingem dhe Mançester. Mirëpo rrjeti i ri nuk i mbulon në tërësi këto gjashtë qytete, por ky shërbim ofrohet vetëm pjesërisht. Me këtë lëvizje, operatori britanik i është bashkangjitur atij amerikan “Verizon” dhe zviceran “Sviskom ” si prijës të valës së re. Në SHBA, vetëm në Çikago dhe Mineapolis, përmes “Verizon”, ofrohet 5G në ofertën komerciale , ndërsa në 19 qytetet ofrohet në formë të kufizuar dhe eksperimentale. Në nivel botëror, Koreja e Jugut është shteti i parë që ka vendosur këtë teknologji në përdorim , si qëllim zhvillimin e rrjetit 5G me qëllim të nxisë ekonominë vendore që po tregon shenja të ngadalësimit.

Pritet që për pesë vite apo në vitin 2024, që të arrijë në 1.5 miliardë numri i shfrytëzuesve të rrjetit 5G, apo një e treta e shfrytëzuesve të deritanishëm të telefonave celularë në botë. Gjithashtu deri në vitin 2024, rrjeti 5G do të mbulojë gati 40 për qind të popullatës botërore që varet edhe nga investimet e kompanive të telekomunikacionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat