Krerët e partive politike shqiptare në Maqedoni urojnë festën e Kurban Bajramit

Maqedonia

Krerët e partive politike shqiptare në Maqedoni urojnë festën e Kurban Bajramit

Më: 11 gusht 2019 Në ora: 10:56
Ilustrim

Kryetarët e partive politike shqiptare të Maqedonisë kanë uruar qytetarët e besimit islam festën e Kurban Bajramit.

Urimet e kryetarëve të partive politike shqiptare.

Bilall Kasami:

“Urime Festa e Kurban Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë anembanë botës! Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të gjithë Ju. Kjo festë le të jetë një arsye për afrimin e njerëzve me njëri-tjetrin dhe mbizotëroftë paqja, mirësia dhe toleranca.

Gjithashtu urojmë të gjithë haxhinjtë që gjenden në vendin e shenjtë që Haxhi i tyre të jetë pranuar dhe gjithë ata të cilët kanë bërë nijet për të prerë Kurban të jetë i pranuar tek Zoti i madhërishëm!

Urime Festa e Kurban Bajramit!”.

Ziadin Sela:

“Festa e Kurban Bajramit, festë kjo që sjell paqe, mirësi dhe solidaritet. Kjo Festë e flijimit dhe e mirëkuptimit mes njerëzve, vjen me mesazhin e dashurisë , të respektit të njeri tjetrit dhe përkujdesin për ata që kanë nevojë.

Gëzuar Festën, qofshi të lumtur me familjet tuaja,

Zoti Ju bekoftë në këtë ditë të madhe!”.

Ali Ahmeti:

“Urime festën e Kurban Bajramit Juve dhe më të dashurve Tuaj.

Sakrifica, devotshmëria, solidariteti dhe bamirësia, simbole të kësaj dite, qofshin vlera udhërrëfyese të jetës tonë.

Sot dhe çdo ditë qofshi të bekuar!”.

Vesel Memedi:

“Kremtimi i festës së Kurban Bajramit është rikujtimi më madhështor që njeh historia e njerëzimit për aktin e sakrificës në emër të Zotit, si një sprovë e lartë për qëndrueshmërinë tonë ndaj respektimit të urdhrave të Plotfuqishmit.

Kurban Bajrami tejkalon çdo kufi dhe shtrihet mbi dimensionet e jetës humane. Akti i sakrificës që simbolizon këtë festë, është karakteristikë e bukur dhe e madhe njerëzore që në thellësi reflekton bujari dhe mirësi. Në këtë ditë të madhërishme të shprehjes së besimit dhe të një çasti kremtimi për të gjithë besimtarët myslimanë kur shtohet dhe forcohet më shumë ndjenja e humanitetit, solidaritetit, bamirësisë dhe mëshirës, uroj që të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të punojmë për një të ardhme sa më të mirë për kombin tonë.

Në emër të Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe në emrin tim personal, të gjithë besimtarëve të besimit Islam ua uroj festën e Kurban Bajramit me dëshirat më të mira për shëndet, lumturi dhe mirëqenie”.

Menduh Thaçi:

“Kurban Bajrami është festë e solidaritetit, moralit dhe respektit, andaj uroj që të vazhdojmë ti kultivojmë këto vlera të mirëfillta.

Në emër të Partisë Demokratike Shqiptare dhe në emrin tim personal ju uroj të gjithë besimtarëve të fesë islame festën e Kurban Bajramit, duke ju dëshiruar shumë shëndet, mirëqenie dhe gëzim”.

Afim Gashi:

“Në këtë Ditë të Madhe të pranimit të lutjeve dhe në pritje të ditës së Bajramit të Kurbanit, përfitoj nga rasti të bashkohem me lutjet e haxhinjve në Arefat, që Bajrami të na zbardhë me dashuri, vizita familjare dhe kujdes për të varfrit dhe jetimët.

Te Zoti nuk arrin gjaku dhe mishi i kurbanit, por arrin gatishmëria jonë për sakrificë dhe vetëmohim.
Zoti e pranoftë kurbanin tuaj! Zoti e pranoftë haxhin e të gjithë haxhinjve tanë! Urime Bajrami i Vogël”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat