Antikorrupsioni ende e shqyrton rastin “Topolki”

Maqedonia

Antikorrupsioni ende e shqyrton rastin “Topolki”

Më: 14 shtator 2019 Në ora: 18:17
Foto ilustrim

Komisioni i Antikorrupsionit siguroi një numër të madh të dokumenteve që lidhen me rastin Topolki, ku hetohet sesi firma ku drejtor është vëllai i zv. kryeministrit Koço Angjushev mori tokë shtetërore për të ndërtuar hidrocentral. Anëtari i Komisionit Anti-Korrupsionit, Nuri Bajrami tha për Alsat, se janë kontrolluar dosje dhe dokumente që nga viti 2014, por detajet do të shpalosen në seancë publike.

Në rastin konkret, kemi mbledhur dokumentacione dhe gjatë shqyrtimit të tyre ndodhë që të kërkojmë edhe detaje të tjera për arsye se për ta zbuluar konfliktin e interesit apo keqpërdorimet, duhet të rishikojmë edhe hapat në procedurë, të cilat kanë të bëjnë me dispozitat e ligjit të atëhershëm për pengimin e konfliktit të interesave. Për procedurat e hidrocentraleve që vazhdojnë akoma edhe dispozitat e ligjit të ri. Për momentin nuk mund të zbulojmë detaje që janë në përpunim”-tha Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit.

Nga ana tjetër në një intervistë për Makfaks, kryetarja e Komisionit për parandalimin e korrupsionit, Biljana Ivanovska, konfirmoi se zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev është ftuar për bisedë. Por Ivanovska nuk shpalosi detaje nëse ka dyshime për korrupsion ose për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Puna në këtë lëndë është ka fundi. Gjatë shqyrtimit kishim bisedë edhe me zëvendëskryeministrin Koço Angjushev, me qëllim që ti shohim të gjitha rrethanat që janë rreth rastit dhe shumë shpejtë ne do dalim me qëndrimet tona”-pohoi Biljana Ivanoska, kryetare e Komisionit për parandalimin e korrupsionit.

Paraprakisht Alsat kërkoi qëndrim edhe nga ish anëtarët e Antikorrupsionit të cilët vlerësojnë se Qeveria patjetër duhet më hollësisht ta kontrollojë dokumentacionin e kompanisë që ka konkurruar për koncesion për hidrocentralin Topolki. Para thuajse tre muajve Qeveria mori vendim dhe me qira i dha 32 parcela me sipërfaqe prej mbi 9 mijë metra katror për ndërtimin e hidrocentralit të kompanisë Topolki. Me kompaninë Topolki udhëheq Todor Angjushev, vëllai i zëvendëskryeministrit, Koço Angjushev, ndërsa pronare është kompania Hidro Holding. Bashkëpronar i kompanisë Topolki është edhe kompania Fero Invest ku pronarë janë Koço dhe Todor Angjushev dhe një person tjetër. Alsat rreth kësaj teme publikoi disa tekste, ndërsa përgjigja e Qeverisë përmes një sërë përgënjeshtrimesh ishte se i gjithë procesi është zhvilluar në mënyrë ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat