Maqedoni, institucionet shkelin afatin për vula dhe dokumente në shqip

Maqedonia

Maqedoni, institucionet shkelin afatin për vula dhe dokumente në shqip

Më: 16 shtator 2019 Në ora: 16:25
Foto ilustrim

Vonesat në zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe në themelimin e inspektoratit që do të jetë kompetent për monitorimin e përdorimit të tij ka bërë që ai të varet kryekëput nga vullneti i institucioneve.

Në mungesë të inspektorëve real, zëvendëskryeministri Bujar Osmani në një video-material të publikuar nga vetë ai, i shoqëruar nga drejtori i Agjencisë për zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, Ylber Sela, bëjnë xhiro në Shkup dhe ndalojnë në hyrje të institucioneve për të konstatuar gjendjen.

Osmani dëgjohet të kontaktojë Agjencinë e Administratës për të pyetur për mungesën e shqipes në tabelë.

“Desha të ju pyes, meqë jam këtu para institucionit dhe shoh që tabela është vetëm në një gjuhë. Si e keni planin për ndërrim?”, tha Bujar Osmani.

Osmani nuk ka kompetenca inspektimi dhe as ndëshkimi të institucioneve që refuzojnë zbatimin. Një kompetencë të këtillë nuk e ka as Agjencia e cila është formuar për mbështetje të institucioneve për të siguruar përkthimin e materialeve të nevojshme.

Ligji për përdorimin e gjuhëve i cili hyri në fuqi në janar të këtij viti parashikon që në afat prej gjashtë muajsh nga miratimi, institucionet të sigurojnë mbishkrime, vula dhe dokumente të tjera për qytetarët në dy gjuhë.

Alsat inspektori disa prej tyre dhe pothuajse të gjitha e kanë shkalur afatin gjashtëmujor të parashikuar me ligj. Qeveria ka filluar me përdorimin e vulave në dygjuhë vetëm disa javë më parë kurse Kuvendi vetëm nga e enjtja e kaluar.

Sekretari me të cilin drejton Osmani tashmë ka vula edhe në shqip por jo edhe Ministria e Financave. Akoma asnjë material i cili gjendet në faqen elektronike të Kuvendit nuk e posedon vulën e re. Kreu i Kuvendit në një deklaratë për Alsat, pranoi vonesat për shkak të procedurave të caktuara që janë zhvilluar paralelisht për ndryshimin e emrit të institucionit pas ndryshimit të emrit të shtetit dhe zbatimit të ligjit për gjuhët.

Mbishkrimi në hyrjen kryesore në dy gjuhë në Kuvend është në procedurë të prokurimit publik kurse në hyrjen anësore ekziston tabela edhe në shqip.

“Për aspektet e vulave, ditës së premte, dmth. në datë 13 unë i kam nënshkruar të gjitha aktet përcjellëse edhe si nënshkrues i parlamentit para institucioneve paraprake dhe janë deponuar në regjistrin qendror dhe në të gjitha instancat tjera me të cilat punon dhe e ka obligim parlamenti që të bëjë ndryshimin e të gjithë procedurës. Në përpinim e sipër janë protokollet e punës së parlamentit që të munden edhe titujt e parlamentit të jenë në të dy gjuhët. Unë mendoj se tani më në esencë, çështja e përdorimit të gjuhëve është vendosur në nivelin e duhur”-pohoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Xhaferi njofton se ligji për themelimin e inspektoratit për zbatimin e ligjit të gjuhëve është në procedurë parlamentare dhe për votim final pritet të vendoset në rend dite më 7 tetor. Deri atëherë, zbatimi i ligjit të gjuhëve do të varet nga vullneti i institucioneve duke mos pasur mekanizma për ndëshkim.

“Lihet që çdo bartës institucioni të zbatojë ligjin, pa marrë parasysh. Çështja e kontrollit nuk është obligim që ta mendojnë institucionet. Institucionet duhet të zbatojnë ligjin pa marrë parasysh a ka inspektorat ose nuk ka. Ata duhet ta zbatojnë ligjin. Për periudhën që nuk ka inspektorat ndoshta dikush edhe e shfrytëzon këtë hapësirë për të mos e zbatuar deri në fund normën ligjore për faktin se masat ndëshkuese që parashihen në ligjin për përdorimin e gjuhëve nuk mund të vihen në zbatim sepse institucioni përkatës ose instrumenti i vetëm për mbikëqyrje është inspektorati, ashtu siç është rregulluar me ligjin për gjuhët”-tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Albanologia Ajtene Qamili e vlerëson si pozitive faktin që disa institucione tashmë kanë ndryshuar mbishkrimet dhe vulat por thekson se disa prej tyre refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Zgjidhje për këtë sipër saj do të jetë themelimi dhe funksionimi i inspektoratit për zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u rimiratua dhe hyri në fuqi në janar të 2019-tës, një vit pas miratimit të tij të parë dhe mos-dekretimit nga presidenti i atëhershëm, Gjorge Ivanov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat