Ademi nuk do t’ia merr kompetencat kreut të Gazi Babës, për mos hapjen e paraleles shqipe

Maqedonia

Ademi nuk do t’ia merr kompetencat kreut të Gazi Babës, për mos hapjen e paraleles shqipe

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 17:21
Arbër Ademi

Ministria e Arsimit nuk do t’ia marr kompetencat komunës Gazi Babë të Shkupit për ti dhënë fund problemit për hapjen e paraleles shqipe në shkollën fillore “Njegosh” të Idirizovës. Ministri i Arsimit, Arbër Ademi thotë se kompetencat mund të merren vetëm në rast se komuna nuk respekton dispozitat ligjore për emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve të shkollave fillore dhe jo për organizimin e mësimit në një komunë. Ministri Ademi tha se çështja e Idrizovës do të hapet për diskutim në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

“Ministri i Arsimit dhe Shkencës në aspekt, në një segment të caktuar mund të merr kompetencat e kryetarit të komunës në qoftë se nuk respekton dispozitat ligjore në aspekt të emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve, në qoftë se nuk respekton dispozitat ligjore në aspekt të përmbushjes së detyrimeve financiare që kanë të bëjnë me shkollat dhe në aspekte të tjera. Mirëpo, çështja e organizimit të mësimit në një komunë i përket vet komunës dhe subjekteve arsimore”, tha Arbër Ademi, ministër i arsimit.

Ndërkohë, prindërit vazhdojnë të këmbëngulin për hapjen e paraleles shqip në Idirizovë, ku duhet të mësojnë 11 nxënës të klasës së gjashtë. Ata thonë se fëmijët do të vazhdojnë ti mbajnë në shtëpi dhe për këtë, sipas prindërve, përgjegjësi duhet të mbajnë institucionet përkatëse. Ndërkohë, ministri Ademi përgjegjësi për këtë kërkon nga institucionet që sjellin vendime joserioze duke aluduar në komunën e Gazi Babës.

“Mendoj se ata që sjellin vendime të papërgjegjshme duhet edhe të mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre të papërgjegjshme”, deklaroi Arbër Ademi, ministër i arsimit.

Një ditë më parë Komuna Gazi Babë kundërshtoi hapjen e paraleles me arsyetimin se kërkesa për hapjen e saj është bërë me vonesë, dhe se e njëjta kërkon kushte të posaçme për formimin e saj, sepse klasa do të numëroj vetëm 11 nxënës. Gjithashtu, në vendimin e komunës Gazi Babë nënvizohet se paralelja e re duhet të shoqërohet edhe me 10 punësime të reja për të cilat duhet kërkuar pajtueshmëri edhe nga Ministria e Financave. Përveç arsyetimeve të lartpërmendura, nga komuna kërkojnë që prindërit fëmijët ti dërgojnë në shkollën fillore të fshatit Ognjancë për mësim në gjuhën shqipe, ku edhe do të organizojnë transport për 11 nxënësit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat