Opozita kritikon punësimet në Agjencinë për Siguri Kombëtare të Maqedonisë

Maqedonia

Opozita kritikon punësimet në Agjencinë për Siguri Kombëtare të Maqedonisë

Më: 2 tetor 2019 Në ora: 20:45
Agjencia për Siguri Kombëtar

Agjencia për Siguri Kombëtar, e cila e ka zëvendësuar Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DKS), është kritikuar nga partitë opozitare në Maqedoninë e Veriut, për shkak të, siç kanë thënë, shkeljeve dhe mosrespektimit të procedurave ligjore gjatë përzgjedhjes së të punësuarve në këtë institucion.

Pas këtyre kritikave të opozitës, drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimoski, ka thënë për media se më 30 gusht ka përfunduar faza e përzgjedhjes së kandidatëve për punësim dhe sipas tij, jam përzgjedhur numri i nevojshëm i të punësuarve në këtë institucion.

Ai ka hedhur poshtë kritikat e partive opozitare, duke thënë se përzgjedhja e kandidatëve është bërë në bazë të kritereve të përcaktuara me ligj.

“Koha e individëve dhe grupeve që do të vendosin se si do të punojë shteti ka kaluar. Ne kemi punuar në bazë të dispozitës ligjore dhe nga Rregullorja e Punës, e miratuar dhe e hartuar paraprakisht”, ka theksuar Dimovski.

Një ditë më herët, deputeti i partisë opozitare, OBRM-PDUKM, Trajço Dimkov ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit vëzhgues në Komisionin për përzgjedhjen e të punësuarve në Agjencinë për Siguri Kombëtare, duke thënë se për dorëheqjen e tij ka njoftuar edhe kryeministrin e vendit.

Dimkov ka thënë se dorëheqja e tij ka ardhur, pasi sipas tij, i gjithë procesi i përzgjedhjes së të punësuarve në këtë agjenci, është kompromentuar.

“Sipas meje, kishte disa momente kyçe në bazë të të cilave është bërë përzgjedhja e këtillë dhe nuk është vepruar sipas ligjit për ASK-në. Nuk është realizuar testi i integritetit dhe nuk është vepruar sipas informacioneve nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave gjatë punësimit. Gjithashtu, për arsye të paqarta nuk është realizuar as testi i paraparë i poligrafit”, ka thënë deputeti Dimkov.

Sipas OBRM-PDUKM-së, libreza partiake është kriteri bazë për punësim në Agjencinë për Siguri Kombëtare dhe jo aftësitë profesionale. Nga kjo parti, madje, kanë pyetur se nëse është e vërtetë që në mesin e të përzgjedhurve për punë në këtë institucion, ka persona me dosje kriminale, të cilët kanë qenë nën hetime nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski, për Radion Evropa e Lirë thotë se struktura të caktuara politike, po synojnë që të dobësojnë fuqinë që e ka Agjencia për Siguri Kombëtare, që sipas ligjit, duhet të kujdeset për sigurinë e shtetit. Sipas tij, dy dobësim po bëhet, për të fituar poenë politikë.

Sipas Dujovskit, është e pakuptimtë që të sulmohet Agjencia për Siguri Kombëtare ende pa e filluar mirë punën, duke kujtuar se të gjithë të punësuarit, që janë nga përbërja e kaluar e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, tani obligohen që t’i nënshtrohen procesit të vetting-ut, me qëllim që të verifikohen kualifikimet e tyre në fushën e sigurisë.

“Agjencinë për Siguri Kombëtare duhet të marrë mbështetje nga të gjitha palët sepse nga ajo varet në masë të madhe siguria e shtetit dhe pikërisht nga kjo Agjenci varen shumë procese që janë të rëndësishme për shtetin”, thotë Dujovski.

Ish-zyrtari i lartë në Ministrinë për Punë të Brendshme, Qebir Avziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se problematike paraqitet punësimi i personave me shtetësi të dyfishtë, gjë e cila është në kundërshtim me ligjin që është themeluar Agjencia për Siguri Kombëtare.

“Është fakt se një numër i konsiderueshëm i inspektorëve, të cilët më herët ishin të kyçur në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, nuk do të mund të kalojnë në Agjencinë e re për Siguri Kombëtare, për shkak të posedimit të shtetësisë së dyfishtë. Një numër i konsiderueshëm i inspektorëve, veçanërisht ata shqiptarë, që kanë punuar në DSK, krahas shtetësisë së Maqedonisë së Veriut, kanë shtetësi të Kosovës ose Shqipërisë dhe kjo për ta paraqet pengesë sepse dispozitat ligjore, në bazë të së cilave punon Agjencia për Siguri Kombëtare, ndalon një gjë të tillë, që ata të kalojnë në agjencinë e re. Këta persona nuk do të mbeten pa punë, por ata do të kalojnë në shërbime të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thotë Avziu.

Ndryshe, Agjencia për Siguri Kombëtare në Maqedoninë e Veriut nisin punën nga 1 shtatori i këtij viti, duke zëvendësuar Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, institucion ky që ishte përfshirë në skandalin e përgjimeve të paligjshme të dhjetëra mijëra qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat