Komunat të pakënaqura, kërkojnë më shumë kompetenca

Maqedonia

Komunat të pakënaqura, kërkojnë më shumë kompetenca

Më: 12 tetor 2019 Në ora: 17:26
Komuna e Manastirit

Pushteti lokal në Maqedoninë e Veriut, kërkon më shumë kompetenca apo vazhdimin e procesit të decentralizimit të pushtetit qendror, para së gjithash në sferën e financave.

Disa nga drejtuesit komunalë thonë se po përballen me mungesë të fondeve për shkak të të ardhurave të ulëta nga tatimet që pamundësojnë realizimin e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës dhe të shërbimeve tjera.

“Nga viti 2002 e deri më sot nuk vërejmë ndonjë ndryshim të madh, përveç që u dhanë disa kompetenca në urbanizëm, kompetenca të pjesshme në arsim, ndërsa që në sferën e kulturës komuna nuk kanë asnjë kompetencë. Mendoj se jemi shteti më i centralizuar në rajon”.

“Konsideroj dhe është momenti i fundi që komunave t’u jepen kompetenca të vërteta në arsim, për t’i zgjidhur problemet në arsim, në sferën e kulturës dhe gjithsesi një sasi të parave nga tatimet, t’u kthehen më shumë komunave. Kjo qëndronte në programet zgjedhore të kryeministrit, por asnjëherë nuk është realizuar”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Komunat, sipas Ligjit për pushtetin lokal, financohen nga burime vetanake, donacione nga buxheti qendror, buxhete nga fonde të ndryshme si dhe huamarrje. Gjithashtu, 4.5 për qind e tatimit të vlerës së shtuar që shpenzojnë qytetarët apo subjektet tjera shkojnë në buxhetin komunal.

Por, këto të ardhura, sipas drejtuesve të komunave, janë të pamjaftueshme. Ndryshime kërkohen edhe nga Qyteti i Shkupit, si njësi e veçantë e vetadministrimit lokal.

“Decentralizim pa para nuk ka. Ose më shumë para në buxhetet komunale ose kompetenca më të mëdha. Diçka duhet të ndryshohet që të kemi komuna që i përmbushin nevojat e banorëve, që të ruajnë epitetin komuna të decentralizuara. Analizat tona tregojnë se ka nevojë për rritjen e TVSH-së për komunat, të paktën 10 për qind e tatimeve të shkojnë në buxhetet e komunave. Tani marrim 4.5 për qind. Gjithashtu kërkojmë 50 për qind të tatimit personal nga vetëm 3 për qind sa aktualisht përfundon në buxhetet e komunave”, thuhet në qëndrimin e Qytetit të Shkupit.

Por, disa njohës të çështjeve të pushtetit lokal thonë se ka një pabarazi mes komunave, në veçanti me Shkupin dhe komunat tjera.

Profesori nga Tetova, Bashkim Selmani, thotë se Shkupi është kryeqendër dhe duhet të zhvillohet, po jo edhe të lihen anash komunat tjera, që, sipas tij, përballem me mungesën e kushteve elementare.

“Duhet të ketë moratorium për investimet në Shkup, për t’ju mundësuar komunave tjera që të zhvillohen pasi ato nuk i kanë të drejtat më elementare, nuk kanë as kanalizim, as transport, nuk kanë shërbimin shëndetësor, të ndihmës së shpejtë e shërbime tjera. Konsideroj se duhet të ketë një strategji tjetër, që të mundësojë zhvillimin e komunave tjera, të cilat gjatë këtyre 30 vjetëve vetëm se janë vjedhur, ndërsa në to nuk është investuar aspak”, thotë Selmani.

Ministri i Pushtetit Lokal, Goran Milevski, thotë se Qeveria e ka në plan hapjen e debatit për rritjen e kompetencave të komunave, porse kjo, sipas tij, do të bëhet pas një plani të detajuar.

“Synojmë ndryshime në tri nivele dhe njëri prej tyre ka të bëjë me decentralizimin e institucioneve. Ne kemi biseduar me të gjithë ministrat, që të kemi një pasqyrë se çfarë lëshimesh janë të gatshëm të bëjnë, apo cilat kompetenca t’ua kalojnë komunave. Po bëjmë analiza dhe do të dalim me një propozim konkret, ndërsa në debat do t’i përfshijmë edhe komunat”, bën të ditur Milevski.

Maqedonia e Veriut ka 84 komuna dhe Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e pushtetit lokal me 10 komuna në përbërje të tij./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat