Përmes rritjes së pagës minimale synohet të ruhet fuqia punëtore

Maqedonia

Përmes rritjes së pagës minimale synohet të ruhet fuqia punëtore

Më: 20 tetor 2019 Në ora: 14:35
Foto ilustrim

Afaristët në Maqedoninë e Veriut, theksojnë se rritja e pagës minimale është mëse e nevojshme për të mbajtur në vend krahun e punës, megjithëse theksojnë se me shumë rëndësi është që sa më parë në politikat e qeverisë të orientohen në rritjen e produktiviteti të punëtorëve

Pushteti, punëdhënësit dhe Sindikata kanë rënë dakord që nga dhjetori paga minimale në vend të jetë 14.500 denarë (rreth 235 euro) përkatësisht ajo të rritet për 2 mijë denarë (rreth 35 euro).

Oda e Maqedonisë Veri-perëndimore e cila e ka mbështetur masën e qeverisë për rritjen e pagës minimale kërkon që politikat e shtetit të orientohen edhe në rritjen e produktivitetit të punëtorëve.

Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore, për Radion Evropa e Lirë thotë se rritja e pagave duhet të jetë në korrelacion me produktivitetin e punëtorëve.

“Vlerësojmë se si masë e përkohshme mirëpo në një fazë afatgjate gjithçka do të bie si barrë në kurriz të biznesit. Bizneset për të motivuar punëtorët, veçanërisht të rinjtë që të japin rezultate më të mira, të jenë më produktiv me rezultate më të mira në punë duhet të investojnë në këtë drejtim".

"E vërteta është se kompanitë të cilat ne i përfaqësojmë si Odë në shkallë të madhe kanë nisur të profesionalizohen në biznese profesionale, do të thotë se një pjesë të buxhetit e kanë të paraparë për ngritjen e kapaciteteve duke i çuar në trajnime të ndryshme punëtorët e tyre”, thekson Iseni, duke nënvizuar se në këtë drejtim duhet të orientohen në ngritjen e kapaciteteve për aftësimin dhe profesionalizmin e krahut të punës duke pasur për bosht institucionet arsimore.

Përderisa qytetarët thonë se rritja e pagës minimale prej 2 mijë denarë nuk do të ketë ndonjë impakt të dukshëm pozitiv në ngritjen e cilësisë së standardit jetësor, punëdhënësit druajnë se rritja e pagës minimale do të çojë në mbylljen e kompanive të vogla për shkak të problemeve me sigurimin e profitit.

Nga organizata e punëdhënësve kanë theksuar se jo çdo kompani do të jetë në gjendje të paguaj pagën minimale në vlerë prej 14.500 denarë, duke paralajmëruar mbylljen e disa ndërmarrjeve më të vogla, kryesisht ato që janë pjesë e industrisë së tekstilit.

“Tani ka informacione se në Manastir janë mbyllur tre kompani të vogla sepse nuk po arrijnë të sigurojnë pagesën e pagës minimale. Në këtë formë më duhet të theksojë se goditen kompanitë e vogla ndërkohë që dihet se boshti më i rëndësishëm që e vë në lëvizje zhvillimin e ekonomisë janë pikërisht ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme”, thekson për Radion Evropa e Lirë Marijana Petkoska nga sektori i tekstilit.

Nga ana tjetër, në bazë të një analize të Institutit për Kërkime Ekonomike “Finance Think” kompanitë e vendit kanë kapacitet të përballojnë një rritje të pagës minimale vetëm për 1000 denarë, përkatësisht ajo të jetë 13 mijë e 500 denarë duke shtuar se rritja e pagës duhet të bëhet mbi bazë të produktivitetit të punës dhe potencialin e ekonomisë dhe në asnjë mënyrë kjo rritje të mos jetë artificiale.

Edhe opozita maqedonase VMRO DPMNE ka kritikuar rritjen e pagës minimale, duke theksuar se nuk është kundër që punëtorët të marrin paga më të larta, por siç e kanë quajtur kjo masë nuk është e pa përballueshme për "ekonominë e gjunjëzuar të vendit nga keqqeverisja aktuale".

Në Maqedoninë e Veriut rreth 100 mijë të punësuar marrin pagë minimale./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat