CDU/CSU: Rruga drejt BE-së mbetet e hapur për Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

CDU/CSU: Rruga drejt BE-së mbetet e hapur për Maqedoninë e Veriut

Më: 21 tetor 2019 Në ora: 09:18
Foto ilustrim

Koalicioni qeveritar gjerman CDU/CSU konsideron se rruga e BE-së mbetet e hapur për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë edhe krahas verdiktit negativ nga mbledhja e javës së kaluar të Këshillit të BE-së në lidhje me hapjen e bisedimeve aderuese me të dy vendet.

Zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johan Vaderful dhe raportuesi parlamentar Christian Schmit, u bënë thirrje Shkupit dhe Tiranës që të vazhdojnë me reformat dhe t’i bindin të gjithë që dyshojnë se vendi i tyre është në BE.

“U bëjmë thirrje dy shteteve që ta kuptojnë votimin negativ të Këshillit Evropian si nxitje që t’i vazhdojnë të gjitha orvatjet reformuese. Nëse dy vendet mbeten në kurs, Parisi nuk do të mund t’i ndalojë negociatat për aderim për herë të dytë. Gjermania e mbështet dhe qëndron prapa perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor”, thotë Vadeful.

Christian Schmit, konsideron se vendimi negativ i Këshillit Evropian duhet me kohë të shqyrtohet.

“Rruga e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe lidhjet me Bashkimin Evropian nuk guxojnë të jenë të bllokuara. Ne qëndrojmë të bindur se në BE ka vend për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor nëse i plotësojnë kriteret. Kjo përfundimisht përfshin edhe fillim të bisedimeve aderuese. Duhet të pranohen arritjet e vendeve – ndryshimi i emrit dhe reforma gjithëpërfshirëse e gjyqësisë, ndërsa ato duhet të vazhdojnë t’i zbatojnë reformat dhe t’i mënjanojnë mungesat. Nëse BE-ja nuk kujdeset për Ballkanin Perëndimor, forca tjera do ta bëjnë sferë të tyre të ndikimit. Ndërsa, askush me të vërtetë nuk e dëshiron këtë”, thotë Schmit, në deklaratën e publikuar në web faqen e CDU/CSU.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat