Memorandum bashkëpunimi midis Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut dhe Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë

Maqedonia

Memorandum bashkëpunimi midis Bashkësisë Islame të Maqedonisë së Veriut dhe Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë

Nga: Sevdail Hyseni Më: 23 tetor 2019 Në ora: 08:11

E martja e 22 tetorit, në Shkup, ishte një ditë e madhe, meqë u nënshkrua Memorandumi i bashkëpunimit të ndërsjellë, midis dy institucioneve të larta fetare të Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë.

Memorandumin shumë të mirëpritur e kanë nënshkruar, në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, Kryetar, ndërsa në emër të Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, Reis’ul-Ulema h. Sead ef. Nasufoviq.

Në pritjen e organizuar me këtë rast, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi ka përshëndetur delegacionin e lartë nga Beogradi, në përbërjen e të cilit ka qenë edhe nënkryetari i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, duke u shprehur i gatshëm për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, gjithnjë mbi bazë të parimeve të shenjta të Kuranit famëlartë dhe të Sunnetit të Pejgamberit (a. s.), përkatësisht të akteve të tyre si Bashkësi dhe të interesave të besimtarëve që përfaqësojnë.

Image

Koordinatori i kësaj iniciative të qëlluar dhe të shumëpritur të nënshkrimit të këtij Memorandumi bashkëpunimi, Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, tha i bindur se realizimi i tij ka një hark kohor dhjetorin e vitit 2021. “Shkupi dhe Beogradi, janë dy qendra të mëdha, të cilat mund të kontribuojnë në ngritjen e vlerave islame, mbi bazat e shëndosha të një bashkëpunimi të sinqertë, për një jetë të dinjitetshme të besimtarëve të këtyre dy shteteve”, tha më tej Myftiu Saqipi.

Ndërsa për këtë Memorandum bashkëpunimi të ndërsjellë, ka mendim të njëjtë edhe Reisi i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, dr. Sead ef. Nasufoviq, i cili mes tjerash për media tha se ky Memorandum, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes fetare, organizimin dhe zhvillimin e mirëfilltë të jetës islame, si dhe jetësimin e Islamit te myslimanët e dy vendeve.

Vlen të ceket se Memorandumi i nënshkruar parasheh organizimin e veprimtarive fetare, kulturore, shkencore, humanitare dhe sociale, me qëllim avancimin e vlerave islame të popullatës myslimane në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Republikën e Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat