ITSHKSH organizon seminarin ndërkombëtar “Figura e tjetrit në kulturën ballkanike”

Maqedonia

ITSHKSH organizon seminarin ndërkombëtar “Figura e tjetrit në kulturën ballkanike”

Më: 26 tetor 2019 Në ora: 17:13
Foto ilustrim

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup u mbajt dita e parë e edicionit të dytë të Seminarit Ndërkombëtar të Ballkanologjisë me temë “Figura e tjetrit në kulturën ballkanike”, në të cilën me punimet e tyre shkencore u prezantuan studiues nga vendi dhe Ballkani.

Me prurjet e tyre origjinale dhe autentike studiuesit trajtuan aspekte të ndryshme të prezantimit të tjetrit në gjuhësi, letërsi, folklor, narrativin historik, librat shkollorë të lëndëve të ndryshme mësimore dhe mbi debatin për funksionimin e multikulturalizmit dhe interkulturalizmit në shoqëritë shumë-etnike, shumë-kulturore, shumë-gjuhësore dhe shumë-fetare në vendet e Ballkanit.

Rregullo ndriçimin sipas dëshirës tuaj me poçin Smart Bulb LEDs permes aplikacionit V-Tac

E SPONSORUARSHIKO VIDEON

Në kuadër të konferencës shkencore fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryeministri i vendit, Zoran Zaev, i cili kumtoi vendimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që punonjësve shkencorë të instituteve shkencore publike tu paguhet puna e kaluar apo vitet e stazhit, që ka qenë një problem i pazgjidhur vite me radhë. Poashtu kryeministri kumtoi vendimin për rritjen e pagave të punonjësve shkencorë për 25 %. Konferencën e përshëndetën edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi dhe ai i Kulturës, Hysni Ismaili.

Në fjalën e tij drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani u shpreh “Nëse ju flas për titullin e seminarit, do të më lejoni të shpreh kënaqësinë që Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve mund të jetë ndoshta institucioni i vetëm shkencor në vend që ka studime të këtilla të ballkanologjisë dhe që mund të jetë i vetmi që është i hapur për Tjetrin, qoftë kjo si qasje intra, por edhe si qasje inter.

Në institutin tonë gjejnë vend komunitetet më të vogla religjioze, si hebrenjtë, por edhe elementi katolik e protestant, që po ashtu janë të paktë për nga numri, por të mëdhenj për nga veprat. Në të vërtetë, Sektori i Lidhjeve të Ndërsjella Kulturore, Historike e Gjuhësore ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve me popujt e tjerë është krijuar pikërisht për të kërkuar e për të gjetur gjuhë dhe kanale komunikimi me tjetrin si përkatësi etnike dhe si përkatësi religjioze në vendin tonë. Për neve diversiteti është pasuri. Vetëm në saje të tjetrit ne e njohim veten. E, duke jetuar në një shoqëri multientike dhe multireligjioze dhe duke vepruar në kryeqendrën multietnike të Ballkanit, ne dëshirojmë të jemi flamuri i këtij i komunikimi dhe, qoftë edhe utopike, ne duam të besojmë se megjithatë Ballkani nuk është vetëm gjeografi e njohur për nga konfliktet, por është një djep në të cilin u përkund qytetërimi perëndimor”.

Më tej Asani u shpreh se “Duke besuar në këto vlera dhe në këto parime, ne mendojmë se edhe përkushtimi jonë, përveç deklarativ dhe politik nga shteti, gjë që tashmë po bëhet, do të duhet të dëshmohet edhe përmes këtyre aktiviteteve shkencore. Saga ballkanike e akademik Luan Starovës dhe Gjuhësia ballkanike e akademikut Shaban Demiraj janë metafora të asaj që synon të jetë instituti në mjedisin tonë ballkanik”.

Studiuesit Zeqirija Ibrahimi dhe Sevdail Demiri promovuan edicionin e parë të revistës “Ballkanologjia I”.
Seminari i Ballkanologjisë organizohet me financimin e Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të konferencës shkencore artistët Ermal Mehmeti dhe Jeta Starova Mehmeti prezantuan program artistik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat