OBRM-PDUKM-ja dhe BDI-ja bashkë kundër ndryshimit të modelit zgjedhor

Maqedonia

OBRM-PDUKM-ja dhe BDI-ja bashkë kundër ndryshimit të modelit zgjedhor

Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 16:45
Ilustrim

OBRM-PDUKM-ja dhe BDI-ja nuk pranojnë ndryshim të modelit zgjedhor tani që kanë mbetur vetëm disa muaj para zgjedhjeve të caktuara për më 12 prill. Përskaj kësaj, këto parti kanë edhe dallime thelbësore sa i takon modelit të përshtatshëm zgjedhor për t’u zbatuar. OBRM-PDUKM-ja është për modelin e shumicës me 120 njësi zgjedhore. Ata pranojnë se deri tani grupet e punës janë dakorduar vetëm për përfshirjen e shumë prej rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së si ndryshime plotësuese të Kodit ekzistues zgjedhor.

“E para, duhet të miratohen rekomandimet e OSBE-ODIHR-së dhe të zyrës së BE-së. Grupet e punës janë duke punuar dhe kanë përparuar. Presim që ato të miratohen sa më shpejtë. Ndryshimi i modelit zgjedhor para zgjedhjeve të caktuara për disa muaj më vonë për të cilat jemi marrë vesh, shikuar edhe nga aspekti juridik por edhe nga aspekti zgjedhor, nuk duhet të ndodhë”, deklaroi Igor Janushev, sekretar i OBRM-PDUKM-së.

Partia e Hristijan Mickoskit thotë se grupi i tyre parlamentar i respekton rregullat dhe mbështet atë që është qëndrim partiak, edhe pse një ditë më parë deputetja Daniella Rangellova u shpreh e gatshme të votojë për modelin me një njësi zgjedhore dhe lista të hapura të kandidatëve për deputetë. Nga BDI-ja, nismën e partive më të vogla e konsiderojnë si nismë entiziaste por pranojnë të zbatojnë vetëm atë për të cilën është arritur konsensus në grupet e punës.

“Ne si parti, BDI, marrim pjesë në grupin formal i cili është themeluar nga Ministria e Drejtësisë shumë vite më parë ku diskutohen ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe në mënyrë konsensuale dakordohemi mbi propozim tekstin i cili tashmë është i harmonizuar dhe ka inkorporuar thuajse të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-së dhe shpresoj që së shpejti do të kalojë në procedurë parlamentare”, tha Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, një ditë më parë, në debatin e organizuar nga partitë më të vogla parlamentare të cilat kanë firmosur nismën për kalimin në një njësi zgjedhore dhe sistemin me lista të hapura, kërkoi prej iniciatorëve të bëjnë llogaritjet duke garantuar votën e deputetëve të partisë së tij. Zaev tha se modeli me një njësi mund të zbatohet që në zgjedhjet e 12 prillit kurse listat e hapura të testohen në zgjedhjet lokale në garën për këshilltarë.

“Jepuni mundësi edhe njëherë dy partive më të mëdha që nuk kanë ardhur, OBRM-PDUKM dhe BDI, të bisedohet edhe njëherë me to dhe këtë ta bajmë bashkë me konsensus. Nëse jo, ju bëjenu hapin! Nuk e di nëse do të mbërrini 61 por LSDM-ja edhe pse ka dallime të brendshme, do t’u japë udhëzim anëtarëve të saj dhe do t’I lusim partnerët e koalicionit të japin mbështetje”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së (05.11.2019).

KSHZ-ja është shprehur e gatshme për të zbatuar çfarëdo ndryshimi të sistemit zgjedhor për të cilin partitë do të merren vesh dhe do ta inkorporojnë në ligj. Ky debat është hapur pothuajse para secilit cikli zgjedhor por kurrë nuk është arritur konsensus për ndryshime më të mëdha. Modeli aktual zgjedhor favorizon partitë më të mëdha dhe dëmton partitë më të vogla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat