Anti-korrupsioni konstaton konflikt interesi, kërkon përgjegjësi nga zv.kryeministri Koço Angjushev

Maqedonia

Anti-korrupsioni konstaton konflikt interesi, kërkon përgjegjësi nga zv.kryeministri Koço Angjushev

Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 18:04

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) konstatoi konflikt interesi në rastin e heqjes së doganave për “akumulatorët”, që do të thotë se zv.kryeministri, Koço Angjushev ka marrë pjesë në seancën qeveritare kur është miratuar heqja e doganës për “akumulatorët”, duke fshehur kështu interesat private.

Komisioni e ftoi kryeministrin Zoran Zaev t’i kërkojë përgjegjësi nga zv.kryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushevit.

“Ne e vërtetojmë gjendjen mbi bazë të argumenteve. Argumentët i morëm nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe nga ministritë tjera kompetente, siç është: Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave e të tjera. Sugjerimi ynë mbështetet në argumentet që vërtetuam rreth një pjesë të punës së zv.kryeministrit”, deklaroi Biljana Ivanovska – kryetarja e Komisionit.

Për këtë ka reaguar edhe vetë Angjushevi. Në një përgjigje me shkrim ai thotë se punon në interes të shtetit dhe qytetarëve.

“Në rastin konkret për ulje të doganës për bateri të litium-jonit për akumulatorë, konfirmoj edhe një herë se kam dorëzuar deklaratë me të cilën jam përjashtuar nga procedura dhe vendim-marrja. Nuk i di arsyet pse Anti-korrupsioni mori vendim. Kur të kem përgjigje me shkrim prej tyre, do të komentoj”, tha Angjushev.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat