LSDM e BDI, me sherifë lokalë para zgjedhjeve

Maqedonia

LSDM e BDI, me sherifë lokalë para zgjedhjeve

Më: 17 nëntor 2019 Në ora: 16:55
Policia

Rastësi ose jo, këto ditë në qeveri pritet të kalojë Akti për Sistematizim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, informon “Alsat” nga burimet e tij.

Në këtë periudhë parazgjedhore, një gjë e tillë bëhet akoma më e dyshimtë për keqpërdorimin e mundshëm të kësaj reforme të brendshme, për shkak të emërimeve ose pozicionimeve të aktivistëve partiakë nga LSDM-ja dhe BDI-ja në koalicionin qeveritar, konkretisht dy titullarët që drejtojnë MPB-në aktualisht. Dilemat qëndrojnë edhe në faktin se sa efikase do të jetë Ministria e Brendshme, në një kohë që bazuar në Marrëveshjen e Përzhinës, pavarësisht se ministri i Brendshëm do të jetë nga radhët e opozitës, Drejtori i Byrosë për Siguri Publike dhe një përqindje e madhe e shefave policorë do të mbeten ende njerëz të pushtetit.

Të dy partnerët e koalicionit janë në një garë për të forcuar pozitat e tyre në radhët e kryeshefave dhe njerëzve të tjerë në pozita kyçe policore, si një parapërgatitje për fortifikimin e pozitave politike të koalicionit ekzistues përgjatë periudhës së qeverisë teknike dhe parazgjedhore të vendit.

Akti për Sistematizim parashikon themelimin e 27 Organeve për Punë të Brendshme të cilat do të jenë struktura organizative territoriale. Por, në krye të këtyre organeve do të jenë kryeshefa, të emëruar falë të drejtës ekskluzive nga ana e ministrit, në bashkëpunim edhe me zëvendësministrin që është përgjegjës për kuotat shqiptare. Këta kryeshefa do të jenë gati-gati sherifë policorë për rajone të caktuara, pasi nën komandën e tyre do të kenë jo vetëm policinë e uniformuar, por edhe policinë kriminalistike si dhe policinë lokale të qarkullimit rrugor.

Nga 27 Organet për Punë të Brendshme, 5 do të jenë në territorin e Qytetit të Shkupit, ndërsa 22 të tjera në rajone anembanë shtetit. Në bazë të 25% përfaqësues të garantuar nga Marrëveshja e Ohrit, qytetet me popullsi dominuese shqiptare sikurse Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga dhe 1 organ në kudër të Qytetit të Shkupit pritet të komandohen nga shqiptarët.

Por, siç mësojmë nga burimet, çdo emërim për drejtues të Organit për Punë të Brendshme përjashton totalisht autoritetet lokale të pushtetit vendor. Pra, asnjë komunë nuk ka të drejtë të sugjerojë apo propozojë ndonjë figurë policore që do të ushtronte detyrën e sherifit lokal, duke rënë kështu ndesh me decentralizimin.

Cilido nga këta kryeshefa të emëruar nga ministri dhe zëvendësministri shqiptar do të gëzojnë autonomi në veprimtarinë e tyre, që nga urdhrat, komandimet, veprimet operative policore etj.

Akti i ri për Sistematizim duket qartë se do e dobësojë rolin e cilitdo ministër teknik nga opozita, për shkak se sherifat lokalë do t’i përgjigjeshin autoritetit emërues, ministrit ose zëvendësministrit aktual. Sipas Marrëveshjes së Përzhinës, ministri i ri nga opozita gëzon të drejtën të ndërrojë deri në 15 udhëheqës policorë nga gjithë struktura hierarkike e MPB-së, që nënkupton se rrjeti lokal policor do të jetë larg kontrollit real të ministrit të ri, veçanërisht në prag të zgjedhjeve. Po ashtu, nga ky Pazar i mundshëm i drejtuesve të MPB-së me 27 Organet për Punë të Brendshme, mësohet se të paprekura do të mbeten edhe 8 sektorët aktualë ekzistues të Punëve të Brendshme në gjithë Maqedonisë.

Matematikisht, shifra e drejtuesve policisë, 27 OPB plus 8 SPB shkon në 35. Ndërsa ministri i ri, nga gjithë struktura hierarkike e MPB-së mund të lëviz nga detyra vetëm 15 zyrtarë policorë, ndërkohë që në rast të lëvizjes, aktivizohet edhe parimi i firmave të lidhura me zv. kryeshefa plotësues.

Një gjë e tillë nënkupton se struktura policore mbetet vegël e pushtetit.

Kjo iniciativë është vazhdimësi i pingpongut politik në Maqedoni, njësoj sikurse në qeverinë e parë pas Përzhinës, OBRM-PDUKM-ja synoi të ruante shefin e Byrosë për Siguri Publike që gjatë asaj kohe u kryesua nga Mitko Çavkov. Me propozim të ministrit, Akti i Sistematizimit kalon vetëm në qeveri, dhe opozita është duarlidhur për ta bllokuar këtë iniciativë. Burimet thonë se gjasat janë që Akti për Sistematizim të kalojë në Qeveri në seancën e të martës. Po ashtu, ky akt parashikon edhe shuarjen e njësiteve të deritanishme “Alfa” dhe atij për Siguri dhe Rend Publik, dhe krijimin e një njësiti të ri, atij për Ndërhyrje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat