Lëvizja Besa: Rrugëtimi i Maqedonisë drejt BE-së sa vjen vështirësohet

Maqedonia

Lëvizja Besa: Rrugëtimi i Maqedonisë drejt BE-së sa vjen vështirësohet

Më: 19 nëntor 2019 Në ora: 19:38
Lëvizja Besa

Nga partia opozitare Lëvizja Besa nëpërmes një kumtese theksojnë se rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian sa vjen e vështirësohet dhe kjo jo për fajin e kushteve që po vendosen por më shumë për fajin e kësaj garniture qeveritare e cila ra nga provimi për sa i përket aplikimit të reformave dhe vendosjes të standardeve evropiane në sistemin shtetëror dhe shoqëror.

“Duke lexuar me vëmendje “Non-paper”-in e lëshuar nga Franca dhe të publikuar në disa media më vend mund të konstatojmë se megjithëse rrugëtimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian është i vështirë por jo edhe i pamundur. Për fat të keq kjo shumicë qeveritare dështoj në reformimin e shtyllës kyçe në shtet, atë të sistemit gjyqësor. Prandaj edhe njëherë bëhet domosdoshmëri propozimi i Lëvizjes Besa për të krijuar një komision shtetëror për reformën në drejtësi, komision ku në formë direkte dhe me të drejtë vendim marrëse duhet të participojnë edhe ekspertë nga SHBA dhe BE. Ky komision jo vetëm që do duhet të kryejë reformën cilësore dhe thelbësore por njëkohësisht duhet të rrumbullaksojë punën e vet duke e aplikuar edhe veting-un e plotë në gjithë instancat si në gjyqësor ashtu edhe në prokurori.

Sa i përket shtyllave tjera që kërkohet harmonizim me standardet dhe vlerat evropiane, vlerësojmë se duhet të aplikohet modeli i ngjashëm si i komisionit shtetëror që përmendëm më lart,pasi që kjo është rruga e vetme e cila garanton se shteti do ecë përpara duke bërë reforma cilësore dhe thelbësore me ç’rast edhe rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian do jetë më i lehtë dhe më i sigurt”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes Besa.

Nga atje shtojnë se tek e fundit, reformat në gjitha segmentet e shtetit dhe shoqërisë mbi të gjitha duhet ti bëjmë për veten tonë dhe të ardhmen e këtij shtetit, por për fat të keq e ripërsërisim edhe njëherë se ashtu si qeveritë e kaluara edhe kjo garniturë qeveritare nuk ka kapacitet për të bartur proceset reformuese pasi që ata nuk janë ende të gatshëm që të pastrojnë radhët e veta nga krimi, korrupsioni dhe mendësia e vjetër që nuk është në një vijë me standardet dhe vlerat evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat