Sonte fillon java e filmit të Maqedonsëi

Maqedonia

Sonte fillon java e filmit të Maqedonsëi

Më: 2 dhjetor 2019 Në ora: 09:16
Foto ilustrim

Me shfaqjen e filmit “Gëzuar viti 49”, në regji të Stole Popovit me Meto Jovanovskin në rolin kryesor, sonte fillon në kino abc, në orën 20.00  “Java e Filmit të Maqedonisë” në Prishtinë. Ky manifestim është organizuar nga “Kosovafilmi”, mbështetur nga Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Kinotekën e Maqedonisë.

Shikuesve të kryeqytetit do t’u prezantohet aktori i njohur Meto Jovanovski, që interpreton rolin kryesor në filmin e mbrëmjes, drejtori i Kinotekës së Maqedonisë Vladimir Angelov dhe drejtori I Vardar filmit Naser Curri.

Ndërkaq, në programin e paradites, “Kosovafilmi” në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, Programi i Regjisë së filmit, do të organizojnë debat me mysafirët Meto Jovanovski, profesor në Fakultetin Arteve në Shkup, (interpreton rolin kryesor në filmin “Gëzuar Vitin i Ri 49”) , me drejtorin e Kinotekës Vladimir Angelov dhe me drejtorin e Kosovafilmit, Gani Mehmetaj.

Debati do të zhvillohet në sallen e projeksionit, në objektin e Departamentit të Regjisë së Filmit, nga ora 12:00h

Programi i filmave në kini ABC:

GËZUAR VITI ’49 (СРЕЌНА НОВА 49)

Regjia: Stole Popov Viti: 1986 2h 5min

Kino ABC. Në ora 20:00 02.12.2019

Përmbajtja: Ngjarja e filmit fillon në qershor të vitit 1948. Një grup studentësh nga Jugosllavia që ishin në BRSS për studime, pas mosmarrëveshjeve mes dy vendeve kthehen në shtëpi. Mes atyre që vendosën të kthehen është edhe Dragosllavi, dashnorja e tij dhe miku i ngushtë Gradimiri, të cilin ndarja me BRSS-në e sjell në konflikt të brendshëm shpirtëror që kulmon me aktin e vetëvrasjes së tij në stacionin hekurudhor të Suboticës. Hetimet në lidhje me vetëvrasjen e Gradimirit fillojnë menjëherë, kurse Dragosllavi si shok i tij dhe bashkudhëtar jep shpjegime për motivet e vetëvrasjes. Familja e Dragosllavit presin kthimin e tij, aq më shumë që nëna e tij e sëmurë rëndë gjendet para vdekjes. Për ekzistencën e familjes kujdeset babai i tij Stojani, me profeion gurgdhendës. Në familje bëjnë pjesë motra e tij Nella e cila ka hyrë në moshë pjekurie dhe vëllezërit Kole e Kosta. Kole është më i vogël, kurse Kosta gjimnazist i cili e braktis shkollën para maturës. Ky merret me punë kriminale. Për Kosten nuk ekzistojnë autoritete, ashtu siç nuk ka as të panjohur në të jetuarit e tij në zgrip të jetës. Dragosllavi e sjell në shtëpi edhe dashnoren Vera, me të cilën dëshiron të martohet. Takimi i parë mes Dragosllavit dhe Kostes rezulton me rrahje për shkak të dëshirë së vëllait më të vjetër Kostes, që të jetohet në përputhje me normat e jetës qytetare. Pas ca kohe Dragosllavin e marrin në “OZNA”. Ai akuzohet

se është agjent sovjetik dhe mbahet në burg hetimor. Koha kalon dhe nëna i vdes. E ardhmja e Dragosllavit nuk dihet, kurse Vera vazhdon të jetojë në shtëpinë e vjehrrit. Koste mundohet ti ndihmojë vëllait, por ndihma e vetme që mund ti ofrojë janë pasaportat e blera me paratë e shitjes së penicilinave të shtrenjta. Koste bie në konflikt me kriminelin Burger, i cili nuk dëshiron konkurrencë në krimet e tij. Kah fundi i stinës së verës, kur babai i shpie në fshat Nellën dhe Kolen, në shtëpi ngelen të vetëm Vera dhe Koste. Kështu që, një natë në shtëpi vjen krimineli Burger me bandën e tij. Qëllimi i tyre është përleshja fizike me Kosten. Mirëpo Koste ka revole dhe ia shkrep në këmbë Burgerit. Pas kësaj ngjarje është e pamundur që Vera të rrijë vetëm në shtëpinë e zbrazur, dhe Koste e vendos në banesë me qira. Të gjendur në këtë situatë, ndjenjat e ndaluara deri dje, tani bëhen realitet, kurse Vera vazhdon të qëndrojë në banesë. Dragosllavi lirohet nga akuza. Por nga ai kërkohet që të bashkëpunojë me organet e pushtetit. Vjen dimri, Dragosllavi kthehet në shtëpi, kurse në kokë i sillen dilemat e shumta për krejt ato që i përjetoi. Dragosllavi e din lidhjen mes Verës dhe vëllait Koste. Për këtë arsye Dragosllavi e injoron prezencën e saj në qytet deri në momentin kur Koste ia kumton lajmin se Vera ka bashkëpunuar me shërbimin sekret të Rusisë-NKVD, duke e kanosur për jetën e vëllait të saj në BRSS. Pastaj Dragosllavi shkon te ajo, por me zemërimin për “tradhtinë” e saj. Për Verën nuk ka shpresë, ajo gjendet në fund të greminës dhe bën vetëvrasje. Koste futet në banesë dhe e gjen të vdekur, kurse ky i rrahur nga Burgeri dhe banda e tij, nuk arrin të përshëndetet me Verën. Pas tij, në banesë vijnë edhe agjentët e pushtetit të informuar nga Dragosllavi. Ky konsideron se e ka kryer obligimin e tij qytetar, i bie morali dhe jeta e tij e humb kuptimin. Dragosllavi bën vetëvrasje në të njëjtën kohë kur vëllai i tij Koste, e kalon kufirin ilegalisht duke u futur nën vagonin e një vargani të trenit. 

PARA SHIUT (ПРЕД ДОЖДОТ)

Regjia: Milcho Manchevski Viti: 1994 1h 53 min

Kino ABC. Në ora 20:00 03.12.2019

Përmbajtja: Filmi “Para shiut” në narracionin e tij filmik përmban tre tërësi të ndërlidhura mes vete. Ato titullohen: “Fjalë”, “Fytyra” dhe “Fotografi”. Ngjarja në pjesën “Fjalë” zhvillohet në manastirin e lashtë diku në Maqedoni. Murgu i ri i përbetuar me heshtje, në qelinë e tij të tavanit e gjen Zamirën, shqiptare, vajzë e cila ka dukjen e fëmijës. Ai nuk kupton shqip, por s’ka dyshime se ajo kërkon strehim nga ndonjë e keqe. E fsheh praninë e saj në manastir edhe kur fshatarët e armatosur e kërkojnë që ta gjykojnë për vrasjen e një bashkëfshatari. Është i frikësuar kur ata e kërkojnë manastirin dhe gëzohet kur nuk e gjejnë. Murgjit më të vjetër e vërejnë heshtjen e tij të frikësuar. Në natën e thellë futen në qelinë  e Kirillit dhe e gjejnë vajzën. Dënimi për murgun është largimi nga manastiri. Në natën e errët duke kaluar përskaj rojeve të dehura të fshatit, Kirilli dhe Zamira e braktisin sigurinë e mureve të manastirit. Tani është ditë, ata kalojnë nëpërmjet një rajoni malor. Kirilli, i mbudhur me kujdes dhe dashuri ndaj vajzës, i premton siguri diku larg prej fshatit dhe malit. Ajo nuk e kupton gjuhën e tij, por e kupton dashurinë. Puthjet në fytyrën e saj dhe duart e saja që kërkojnë shpëtim rreth trupit të tij, janë komunikimi i vetëm mes tyre. Por aty afër, gjenden farefisi i saj dhe bashkëfshatarët. Gjyshi i saj me rreptësi të kryetarit të fisit e kthen në realitet. Ajo orvatet të shpjegojë se Kirilli i ka ndihmuar, se e ka shpëtuar dhe e do. Gjyshi i saj e dëbon Kirillin. Ai largohet me hezitim. Thirrja e Zamirës pas tij, e kthen atë.

Ajo vrapon pas tij. Vëllai i saj hap zjarr. Paragjykimet nuk lënë mundësi për një fund më ndryshe. Kirilli është afër Zamirës, duke shikuar në të ajo vdes. “Fytyrat” në pjesën e dytë të filmit “Para shiut” zhvillohen në një botë krejt ndryshe, në mjedisin dinamik, bashkëkohor dhe urban të Londrës. Në agjencinë botërore të fotografisë punon laureati i çmimit Pulicer, maqedonasi Aleksandar Kirkov, që moti i larguar nga atdheu. Sapo i kthyer nga lufta në Bosnjë ku ka fotografuar vrasje, që sipas tij e bën pjesëmarrës në ngjarjen tragjike, Aleksandri vendos të kthehet në Maqedoni. Ndërmjet tij dhe Enës, gruas së re që punon në agjencinë e njëjtë, ndodh dashuri e zjarrtë. Aleksandri e thërret të vjen pas tij. Derisa En lufton me dilemën e saj, në kafenenë ku bisedon me burrin e saj ndodh një incident me pasoja tragjike. Në përllogaritjet e tyre mes emigrantëve ballkanikë, mes të vrarëve do të gjendet edhe burri i saj. “Fotografitë”, pjesa e tretë e filmit, zhvillohet në Maqedoni. Aleksandri kthehet në shtëpi, në vendlindjen e tij, duke kërkuar strehë në paqen e ëndërruar dhe duke mos menduar që aty zhvillohet një ngjarje tjetër, jo më pak se një luftë. Viset e vendlindjes së tij janë të njëjta, por raportet mes njerëzve kanë ndryshuar dukshëm. Në vendin ku jetojnë dy popuj të ndryshëm, me përkatësi të ndryshme fetare, raportet janë të polarizuara. Mes tyre sundon mosbesim, mundësia e përleshjes ndjehet edhe në ajër. Njerëzit e armatosur takohen gjithkund, frika ka zënë vend gjithkah. Familjarët e Aleksandrit e pranojnë me gëzim, por edhe me habi. Shtëpia e vendlindjes së tij është e shkatërruar. I sinqertë në qëllimet e tij, Aleksandri i viziton miqtë në fshatin e afërt shqiptar, dëshiron ta takojë shoqen e tij të dikurshme Hanën, ndaj të cilës ka pasur simpati. Hana tash është vejushë dhe nënë e dy fëmijëve, djalë dhe vajzën Zamira. Ende i pa ambientuar ndaj atmosferës së re në fshat, Aleksandri angazhohet në shpëtimin e Zamirës e cila është e mbyllur në bulmetore nën akuzën për vrasje të farefisit të saj. Aleksandri, pa frikë nga bashkëfshatarët e armatosur e nxjerr vajzën nga bulmetorja. Kushëriri i saj, i ballafaquar me pamundësinë e tij para superioritetit të Aleksandrit , hap zjarr. Jeta e Aleksandrit merr fund në viset ku është rritur dhe nga dora e njerëzve që i ka dashur.

SHËRUESI (ИСЦЕЛИТЕЛ) 

Regjia: Gjorce Stavreski Viti: 2017 1h 38min

Kino ABC. Në ora 20:00 04.12.2019

Përmbajtja: Vele, konduktor i stacionit hekurudhor, me naivitet fëmijëror dhe kokëfortësi, orvatet ta bashkojë familjen dhe pastaj vjedh paqetë me marihuanë që i takon disa kriminelëve të rrezikshëm, në fund duhet ta paguaj faturën

 LLAZAR (ЛАЗАР)

 Regjia: Svetozar Ristovski Viti: 2015 1h 38min

Kino ABC. Në ora 20:00 05.12.2019

Përmbajtja: Llazari është i pakënaqur dhe emocionalisht i pa përshtatur me botën përreth tij. Kur babai i tij e braktis familjen, ai është dashur t’ia del vetë dhe të bëhet i fortë, kurse tani në vitet e tij të njëzeta futet në grupin e ilegalitetit me emigrantë. Pikëpamja e tij për botën fillon të ndryshojë kur të dashurohet në Katerinën, studente e arkitekturës të cilën e takon rastësisht.

NATË MJALTI (МЕДЕНА НОЌ) Regjia: Ivo Trajkov Viti: 2015 1h 29min

Kino ABC. Në ora 20:00 06.12.2019

Shkupi në vitin 1990, festimi i Festës shtetërore të republikës së sapoformuar të Maqedonisë, njëkohësisht edhe dhjetëvjetori i martesës mes Nikollës që është zëvendës ministër dhe gruas së tij. Tregimi fillon me kthimin e tyre në shtëpi pas takimit me kryeministrin. Gjatë ngjarjes lineare që zhvillohet në një natë ku kulmon kriza e errët e protagonistëve kryesorë, ndjekim sekuenca nga takimi që e ndjekin linjën e dytë narrative të këtij rrëfimi ku pasqyrohet jeta profesionale dhe sfidat e Nikollës, i involvuar në një skandal politik në ministrinë e tij, ku burgoset ministri dhe disa bashkëpunëtorë të tij. Ata janë të vetëdijshëm se shtëpia e tyre përgjohet dhe e dinë saktë në cilat hapësira janë të instaluara aparatet e përgjimit. Ana e zemëruar që Nikolla ka harruar në përvjetorin e martesës, fillon fjalosja. Nikolla i kapluar nga frika për shkak burgosjes dhe pritjes së fatit të njëjtë, orvatet me ngulm ta gjejë raportin për privatizim të një ndërmarrje shtetërore që e ka punuar vetë, ndërsa paraqet shkakun e skandalit. Qëllimi dhe preokupimi i tij është ta shkatërrojë raportin dhe gjithë dëshmitë që i ruan në shtëpinë e tij, e të cilin e ndërlidhin me rastin. Në kulmin e grindjes së tyre, policia sekrete paraqitet në shtëpinë e tyre. Pas shkuarjes së tyre, Ana dhe Nikolla zbulojnë që gjithkund nëpër shtëpi janë instaluar aparatet e përgjimit, edhe në vendet ku kanë menduar që nuk janë. Në situatën e ndodhur, Ana harron mllefin e saj dhe e kaplon frika për fatin e burrit. Ata nuk grinden më. Pas natës së gjatë e të lodhshme, Nikolla vendos të pajtohet me fatin e tij dhe e pret mëngjesin. Por…

ZOTI EKZISTON, EMRI I SAJ ËSHTË PETRUNYA (БОГ ПОСТОИ, НЕЈЗИНОТО ИМЕ Е ПЕТРУНИЈА)

Regjia: Teona Strugar Mitevska Viti: 2019 1h 40min

Kino ABC. Në ora 20:00 07.12.2019

Në qytetin e Shtipit të Maqedonisë, çdo janar, prifti hedh kryqin në lum dhe qindra meshkuj zhyten për ta kapur. Ai që e kap, besohet se i sjell fat për tërë vitin. Kësaj radhe, Petrunija kërcen në lum dhe arrin ta kap kryqin para meshkujve. Garuesit e tjerë zemërohen, si guxon një femër të merr pjesë në këtë ritual? Aty ndodh një rrëmujë e madhe, por Petrunija qëndron fuqishë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat