Amnistia e Ivanovit përplas politikën me Gjykatën Kushtetuese - Bota Sot
Amnistia e Ivanovit përplas politikën me Gjykatën Kushtetuese

Maqedonia

Amnistia e Ivanovit përplas politikën me Gjykatën Kushtetuese

Më: 8 dhjetor 2019 Në ora: 14:25
Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov. Fotografi nga arkivi.

Nisma për rikthimin e amnistisë së ish-presidentit të Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov rikthehet sërish në Gjykatën Kushtetuese, pasi komisioni juridiko-ligjvënës refuzoi të interpretojë nenin kontestues, me arsyetimin se është i shfuqizuar që në vitin 2009 andaj edhe nuk ka nevojë që të miratohet ndonjë vendim të cilin e priste Gjykata Kushtetuese për të sjellë vendimin final.

Ish presidenti Gjorge Ivanov, më 12 prill të vitit 2016, kishte amnistuar 56 zyrtarë të lartë të qeverisë së kaluar, në mesin e të cilëve ishin ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ministra e funksionarë tjerë të lartë, por pas presioneve të shumta, amnistia ishte tërhequr një muaj më vonë.

Amnistia e Ivanovit ishte mbështetur në nenin 11 ndërsa tërheqja e saj më pas në nenin 11a. Nisma e një avokati të të akuzuarve ka të bëjë me nenin 11a me pretendimin se presidenti nuk ka të drejtë të tërheqë faljen të cilën e kishte bërë në bazë të nenit 11. Nga qeveria thonë se vendimi i komisionit kuvendor ka bazë ligjore.

“Gjykata Kushtetuese vlerësoj se më nuk ka asnjë arsye që të debatojë për nismën e ngritur për nenin 11a, të Ligjit për faljen, e që ka të bëjë me aktivizimin e amnistisë së ish-presidentit Ivanov. Ky nen nuk ekziston që nga viti 2009, andaj edhe nuk është dhe nuk mund të jetë objekti debati apo interpretimi nga Kuvendi ”, ka deklaruar zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristevski duke kritikuar punën e gjyqësorit, e në këtë rast të Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tij thuajse tre vjet e ka mbajtur në sirtar këtë nismë, që të hapë tani në një periudhë të ndjeshme kur vendi ndodhet para zgjedhjeve, por edhe para proceseve të rëndësishme në procesin euroatlantik.

Por, njohësit e çështjeve juridike thonë se Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të vendosë për këtë nismë pavarësisht se kuvendi nuk ka asnjë vendim apo vetëm se ka konstatuar se trajtimi i saj nuk ka bazë ligjore. Margarita Caca-Nikollovska, ish-gjykatëse në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg, thotë se asnjë vendim i kuvendit nuk është i obligueshëm për Gjykatën Kushtetuese.

“Unë mendoj se vendimi i komisionit juridiko-ligjvënës, por edhe i kuvendit në tërësi nuk është obligues për Gjykatën Kushtetuese. Te ne pushtetet janë të ndara në ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Në këtë kuadër, Gjykata Kushtetuese është e pavarur dhe është i vetmi institucion që vlerëson kushtetutshmërinë e çdo akti ligjor. Kuvendi do të duhej ta zgjidhë çështjen rreth nenit 11 dhe 11a. Në rast se neni 11 nuk ekziston, këtë kuvendi do të duhej ta theksonte në interpretimin autentik që të ketë një mendim për Gjykatën Kushtetuese gjatë marrjes së vendimit përfundimtar”, thotë Caca- Nikollovska.

Njohësit e çështjeve politike thonë se partitë pa përjashtim duhet të lënë anash përplasjet dhe interesat e tyre dhe të vihen në luftën kundër krimit. Profesori Jove Kekenovski, njohësi i çështjeve politike, thotë se zotimet e partive se janë kundër amnistisë, duhet të shndërrohen në vepra.

“Ky është një shans i mirë që të gjithë të ngritën kundër kësaj nisme për amnistimin e krimit. Edhe opozita thotë se nuk do të lejojë që të falen ata që kanë bërë vepra të rënda penale. Këto deklarime të tyre duhet të shndërrohen në vepra dhe përfundimisht të gjithë të bashkohen, këtu para se gjithash mendoj për deputetët, pavarësisht se cilës parti i takojnë, të dalin kundër krimit dhe korrupsionit në vend”, thotë Kekenovski.

Gjykata kushtetuese jozyrtarisht për këtë nismë do të diskutojë sërish në seancën e radhës javën e ardhshme. Polemikat rreth kësaj çështjeje vijnë në kohën kur gjyqësori po përballet me kritika të shumta, por edhe me paralajmërimin e pushtetit për verifikimin e pronës dhe të profesionalizmit të çdo gjykatësi e prokurori, i njohur ndryshe si procesi i vetting-ut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat