Këshilli Gjyqësorë, nuk miratohet propozimi i LSDM-së

Maqedonia

Këshilli Gjyqësorë, nuk miratohet propozimi i LSDM-së

Më: 9 dhjetor 2019 Në ora: 21:18
Foto ilustrim

Edhe pasi mori dritë jeshile nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, nuk dihet nëse marrëveshja për emërimin e drejtorit të Entit Shtetëror të Revizionit do të vlejë edhe gjatë votimit në seancë plenare. Kjo për shkak se në Komisionin amë nuk kanë kaluar të gjithë emrat e propozuar të partive për pozitat e lëna bosh për një kohë më të gjatë.

LSDM-ja thotë se ka pasur marrëveshje paraprake për emrat e propozuar në krye të revizionit, anëtarë të Këshillit të prokurorëve publik dhe anëtarë të Këshillit gjyqësor, megjithatë, pasi kanë kaluar propozimet e OBRM-PDUKM-së dhe BDI-së, nuk janë siguruar votat e nevojshme për anëtarët e propozuar nga LSDM-ja. Për deputetin Muhamet Zekiri, obstruksioni ka qenë i qëllimshëm.

“Ajo që ndodhi në komision ishte regji mirë e përgatitur nga “koalicioni OBRM-PDUKM-BDI”. E them kështu pasiqë propozimi për anëtar të Këshillit gjyqësor nga deputeti Grubi u përkrah edhe nga deputet e OBRM-PDUKM-së, ndërsa propozimi i dytë që e bëra unë në emër të LSDM-së nuk kaloi, siç nuk kaloi as propozimi për anëtar të Këshillit të prokurorëve publik. Kjo mua më le të nënkuptoj se ky “koalicion” i heshtur mes OBRM-PDUKM-së dhe BDI-së është me qëllim që të vazhdojnë të kontrollojnë anëtarët e Këshillit të propkuroreve dhe Këshillin gjyqësor”, tha Muhamet Zekiri, deputet i LSDM-së.

OBRM-PDUKM-ja mohon të ketë gisht në këtë gjë dhe e quan këtë si problem të anëtarëve të koalicionit.

“Jo, nuk ka pasur asnjëfarë kalkulimesh nga OBRM-PDUKM-ja. Por, ka mosmarrëveshje mes LSDM-së dhe BDI-së. Ai është problem i tyre”, pohoi Antonio Milloshovski, deputet i OBRM-PDUKM-së.

Përgjegjësinë për mos-miratimin e propozimeve të LSDM-së nuk e pranon as BDI-ja. Deputeti Artan Grubi, anëtar i Komisionit për zgjedhje dhe emërime thotë se ai ka votuar “për”.

“Për të dy propozimet që nuk kaluan, BD-ja, unë, kam votuar “për”, njëjtë si edhe 5 anëtarët tjerë të komisionit nga LSDM-ja, por me sa duket nuk ka pasur koordinim të mjaftueshëm të LSDM-së me opozitën për çështjet tjera në rend dite, përveç asaj për drejtorin e Revizionit”, theksoi Artan Grubi, deputet i BDI-së.

I përmbajtur në komision për propozimin e LSDM-së për anëtar të Këshillit gjyqësor dhe anëtar të Këshillit të prokurorëve ka qenë deputeti i Besës Fadil Zendeli, i cili, për shkak të udhëtimit jashtë vendit, ishte i pakapshëm për të sqaruar situatën. Në këtë komision, opozita ka shumicën. Kreu i Komisionit Ilija Dimovski akoma nuk ka dorëzuar raportin nga dita e premte dhe pritet që këtë ta bëjë gjatë ditës së martë. Nuk ka asnjë pengesë që emrat e miratuar për revizor dhe anëtarëve të ri të këshillit gjyqësor të vendosen në rend dite por kjo do të vendoset pas koordinimit të rregullt mes grupeve parlamentare dhe kryeparlamentarit.

Përveç kësaj nuk dihet nëse kjo ngatërresë e re mes partive mund të ndikojë edhe në prishjen e marëveshjes paraprake për ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor, pikë e cila është në rend dite në seancën e datës 11. Partitë kanë konfirmuar se nuk kanë arritur akoma marrëveshje për zgjedhjen e anëtarëve të ri Agjencisë së mediave dhe Këshillit programor të RTVM-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat