Opozita shqiptare në Maqedoni, pa konkretizim të një koalicioni parazgjedhor

Maqedonia

Opozita shqiptare në Maqedoni, pa konkretizim të një koalicioni parazgjedhor

Më: 10 janar 2020 Në ora: 16:26
Opozita shqiptare

Kryesia e Lëvizjes Besa ka sjell qëndrim të unifikuar: Është pro koalicionit trepalësh bashkë me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën. Besa pret që me qëndrime të njëjta të dalin edhe dy subjektet tjera, me qëllim që koalicioni të zyrtarizohet sa më shpejtë.

“Jemi për koalicion trepalësh. Lëvizja Besa e tejkaloi veten nga ajo situatë dhe jemi të vendosur për koalicion mes Besës, Aleancës dhe Alternativës të cilin e vlerësojmë si koalicion fitues. Pres që me qëndrime të njëjta të reflektojnë edhe Aleanca dhe Alternativa që edhe ato ta tregojnë gatishmërinë e plotë që ky koalicion të funksionojë”, u shpreh Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

Nga partia Alternativa thonë se me ASH-në janë afër marrëveshjes dhe se nuk kanë pretendime për të përjashtuar dikë nga procesi i negociatave për koalicion trepalësh.

“Alternativa është në negociata me Aleancën për Shqiptarët dhe ne jemi në kërkim të një formule fituese për zgjedhjet e ardhshme. Shpresojmë se ditëve në vijim do të kemi lajme të mira. Ne nuk jemi ata që e përjashtojmë ose e përfshijmë dikë, por thjeshtë jemi duke dhënë gjithçka nga vetja jonë që të krijojmë një kombinim fitues”, thonë nga Alternativa.

Aleanca për Shqiptarët, lideri i së cilës udhëheq procesin e bashkimit të opozitës shqiptare pret që dyja subjektet t’i thirrin arsyes dhe të bashkohen me qëllim unifikimin e votës shqiptare.

“Ka një frymë pozitive dhe shpresoj se partitë politike në fjalë të cilat janë themeluar si rezultat i pakënaqësisë nga klasa politike që i ka përfaqësuar shqiptarët, do t’i thirren arsyes dhe ky koalicion të përfundojë me sukses”, deklaroi Syrija Rashidi, deputet i ASH-së.

Deri tani Aleanca për Shqiptarët ka zhvilluar negociata të ndara me Besën dhe Alternativën, ndërsa mes Bilall Kasamit dhe Afrim Gashit nuk ka pasur negociata dhe as komunikim jo zyrtar. Koalicioni trepalësh: ASH, Besa dhe Alternativa ishte paralajmëruar të zyrtarizohej në fillim të janarit./Alsat/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat