Varhelyi fton partitë për miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike

Maqedonia

Varhelyi fton partitë për miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike

Më: 16 janar 2020 Në ora: 16:04
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut ka mirëpritur kërkesën e Komisionarit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, për miratimin e ligjit për Prokurorinë Publike deri para samitit të BE-së në Zagreb.

Nga Ministria kanë thënë se “qëndrimi i komisionarit Varhelyi paraqet inkurajim për të gjitha palët që sa më parë t’u rikthehen bisedimeve për miratimin e një zgjidhjeje ligjore për funksionimin normal, të papenguar por edhe për rritjen e efikasitetit dhe të pavarësisë së gjyqësorit”.

Pasi partitë nuk arritën t'i kapërcejnë dallimet për ligjin, i cili duhej të zgjidhte statusin e Prokurorisë Speciale, miratimin e një prokurorie të re, Ministria e Drejtësisë, doli me një draft të ri, i cili fare nuk e përmend specialen, e cila u shua për shkak të përfshirjes së drejtueses së saj, Katica Janeva, në rastin “Reketi”, ndërsa lëndët që ajo procedonte, i kaluan Prokurorisë së rregullt.

Zgjidhja e propozuar, gjithashtu, nuk parashikon themelimin e një organi të ri të akuzës, por lë në fuqi Prokurorinë ekzistuese për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, që tashmë po procedon të gjitha lëndët që zhvillonte Prokuroria Speciale.

Nga ana tjetër, prokurori i Shtetit, Lubomir Joveski, ka bërë thirrje për miratimin e ligjit për Prokurorinë Publike, por ligji, sipas tij, duhet të jetë kualitativ dhe jo i bazuar në interesat e partive politike.

"Konsideroj se është e domosdoshme që sa më shpejt të miratohet ligji për Prokurorinë Publike, jo vetëm për shkak të kërkesës së Brukselit, por para së gjithash për të mirën e qytetarëve, për forcimin e shtetit ligjor, për funksionimin e drejtë të institucioneve gjyqësore. Ne kemi nevojë për një ligj kualitativ dhe përmbajtësor dhe jo zgjidhje, e cila do të jetë si rezultat i pazareve politike. Më mirë fare të mos miratohet ky ligj se sa të miratohet zgjidhje e bazuar në pazare të tilla”, ka deklaruar Jovevski.

Partitë, ndërkohë, nuk komentojnë thirrjen e komisionarit evropian, i cili, të mërkurën tha se zgjidhja e re ligjore për Prokurorinë duhet të miratohet deri në fund të mandatit të përbërjes aktuale parlamentare, apo deri në fillimin të shkurtit kur edhe Kuvendi do të shpërndahet.

“Prioritet duhet t’i jepet ligjit të ri për Prokurorinë Publike. Shpresojmë se ai do të miratohet nga ana e këtij Parlamenti, që do të paraqesë një sinjal shumë të rëndësishëm te shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar komisionari për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, pas takimit me kryeministrin Oliver Spasovski.

Reformat në gjyqësor konsideron si shumë të rëndësishme për procesin e integrimit evropian. Maqedonia e Veriut është kritikuar në vazhdimësi për mungesë të një gjyqësori të pavarur, që të përballet me zyrtarët e korruptuar ndaj të cilëve po zhvillohen shumë procese gjyqësore, po ende pa ndonjë epilog konkret./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat