Zgjedhjet në Maqedoni, për një javë pritet të mësohet koalicioni i partive shqiptare

Maqedonia

Zgjedhjet në Maqedoni, për një javë pritet të mësohet koalicioni i partive shqiptare

Më: 16 janar 2020 Në ora: 18:54
Foto ilustrim

Nuk kanë rezultuar të suksesshme përpjekjet e deritanishme të Aleancës për Shqiptarët për një koalicion trepalësh parazgjedhor me Besën dhe Alternativën. Edhe pse ishte lajmëruar një epilog për në fillim të muajit janar, partitë akoma nuk kanë arritur marrëveshje.

“Duhej të ndodhte para pesë ose gjashtë ditësh por duke insistuar që të mos mbesim dy por të jemi tre dhe e kemi shtyrë por nuk shkon shumë gjatë. Unë shpresoj që për gjashtë – shtatë ditë të përfundojë kjo. Neve na duhet një parti plus për ta fituar BDI-në 100%, për ta bërë ndryshimin historik në 12 prill. Në qoftë se bëhen dy palë, diferenca do të jetë shumë më e madhe”, deklaroi Arben Taravari, sekretar i Aleancës për Shqiptarët.

Lëvizja Besa nuk ka përjashtuar mundësinë të ulet në tavolinë me Alternativën me qëllim që, siç thonë ata, në këto zgjedhje, qytetarët të kenë një ofertë ndryshe.

“Ne kur e jemi formuar Lëvizjen Besa nuk e kemi formuar duke u mbështetur në njëfarë koalicioni apo në ndonjë parti tjetër. Nëse një parti nuk është e gatshme që të ballafaqohet vetë në zgjedhje atëherë unë nuk besoj se ja vlen që ajo parti të funksionojë. Në këtë drejtim, ne duam t’u ofrojmë diçka më ndryshe qytetarëve. Ne duam t’i garantojmë votuesit të Besës që do të jemi pjesë e Qeverisë për të realizuar këto”, tha Arianit Hoxha, Lëvizja Besa.

Ajo që mbetet e palëkundur në pozitën e saj se nuk pranon bashkëpunim me Besën, është Alternativa.

“Ne ulemi për negociata për bashkëpunim me parti që mendojmë se kemi diçka të përafërt dhe nuk ulemi me dikë, me të cilin nuk na bashkon asgjë ose që na ndan shumëçka. Deri te ne nuk ka pasur asnjë iniciativë dhe nuk shohim ndonjë arsye të veçantë për ndonjë takim të tillë. Ndonëse ne as nuk përjashtojmë as nuk përfshijmë dikë nëpër koalicione, synimi ynë që është që të prodhojmë një koalicion që do të jetë formula më e saktë që ta shpijë në opozitë BDI-në”, thonë nga Alternativa.

BDI-ja nuk pranon të ketë ndihmuar përçarjen e tre partive të koalicionit eventual.

“Ne qartë e kemi treguar se nuk përzihemi në çështjet e brendshme të partive të tjera opozitare. Ne i konsiderojmë si parti të vogla në spektrin politik shqiptar. Pikërisht Taravari vetë në mënyrë indirekte e theksoi faktin se i duhet tre parti të bashkohen që të kenë gjasa sado pak të jenë konkurrent me BDI-në”, u shpreh Kreshnik Bekteshi, BDI.

Ditë më parë madje u përfol edhe ekzistenca e ndikimeve nga Tirana dhe Prishtina për bashkimin e tre partive, ASH-së, Alternativës dhe Besës. Këto parti nuk kanë pranuar se bëhet fjalë për përfshirje direkte të autoriteteve të Shqipërisë dhe Kosovës megjithatë folën për mbështetjen e kësaj ideje nga politikanë dhe intelektualë të caktuar nga këto dy vende.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat