VMRO-DPMNE serish e aktualizon teorinë e konspiracionit për të ashtuquajturën “Platforma e Tiranës”

Maqedonia

VMRO-DPMNE serish e aktualizon teorinë e konspiracionit për të ashtuquajturën “Platforma e Tiranës”

Më: 25 janar 2020 Në ora: 21:42
Aleksandar Nikolloski

Më 21 Janar 2019, nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikolloski për Alfa TV deklaroi që “Zaev shpreson për Platformën e Tiranës 2”, si pjesë e “kapitullimit dhe tradhtisë së tij ndaj popullit të vet”, shkruan Vërtetmatës, transmeton Portalb.mk.

“Platforma e Tiranës” është një teori konspirative e promovuar nga VMRO-DPMNE dhe mbështetësit e saj jashtë shtetit, nga Rusia dhe Serbia, në fillim të vitit 2017 pasi ajo nuk arriti të fitojë një shumicë prej 50% në zgjedhjet e dhjetorit 2016.

Bëhet fjalë për një trillim që synon nxitjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve etnikë dhe mostolerancë dhe shqetësim të bashkësitë tjera etnike, në rend të parë midis maqedonasve e pastaj edhe te popujt tjerë të Ballkanit.

Versioni i parë i kësaj historie ishte se formimi i qeverisë së koalicionit të përbërë nga opozita e atëhershme LSDM-ja, me BDI dhe partitë e tjera të shqiptarëve etnikë, do të çonte në shkatërrimin e Maqedonisë si shtet dhe bashkim të pjesëve të saj me Shqipërinë.

Propaganda për “Platformën e Tiranës” u aktivizua si një formë presioni për të çrregulluar marrëdhëniet ndëretnike, në një periudhë bindjeje pas zgjedhjeve që BDI të hyjë në koalicion me VMRO-DPMNE dhe të formojnë qeveri. Pas negociatave gjata, BDI e refuzoi ofertën për shkak të mos pranimit të kërkesës që Prokuroria speciale të qëndrojë, që ishte pjesë e “Platformës së përbashkët të partive parlamentare shqiptare në Maqedoni” për prioritetet e qeverisë së ardhshme.

Ky dokument, i botuar më 7 janar 2017 (teksti i plotë është në dispozicion në faqen e internetit të BDI-së në gjuhën maqedonase dhe shqipe), i paraqiti qëndrimet e përbashkëta të tre partive etnike shqiptare (BDI, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët) e dakorduar përmes një sërë takimesh. përfshirë atë të mbajtur në Tiranë gjatë dhjetorit paraprak. Kërkesat tjera të deklaratës janë që gjuha shqipe për të marrë statusin e gjuhës zyrtare në nivel shtetëror, barazia ekonomike dhe zhvillim i balancuar rajonal, promovim i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, pjesëmarrje të palës shqiptare në negociatat për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Greqinë dhe fillimin e një debati publik për një sërë temash tjera.

Sipas deklaratave të BDI-së, të gjitha ato kushte, përveç vazhdimit të punës së PSP-së, e cila tashmë kishte ngritur padi kundër zyrtarëve të qeverisë dhe partisë së udhëhequr nga Nikolla Gruevski, ishin pranuar nga VMRO-DPMNE  gjatë negociatave të pasuksesshme që zgjatën deri më 29.01.2017.

Asnjë nga nënshkruesit nuk e ka përdorur ndonjëherë termin “Platforma e Tiranisë”. Përdorimi i tij u promovua nga politikanë të VMRO-DPMNE-së, nga Rusia dhe Serbia, si dhe media të lidhura me ato regjime.

Kështu, gjatë vitit 2017 dhe 2018, Ministria e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse ka publikuar madje 6 komunikata zyrtare në të cilat termi “Platforma e Tiranës” ndërlidhet me termin “Shqipëria e Madhe” – një koncept për pushtimin e territoreve, që te përfaqësuesit e kombeve tjera duhet të shkaktojë ndjenja negative ndaj shqiptarëve.

Për shembull, pas një takimi në Beograd me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq në shkurt 2018, Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov ka deklaruar se ata ishin “të shqetësuar për pasivitetin e BE-së rreth iniciativës nga Tirana për ” Platformën e Tiranës”, e cila është një thirrje e qartë për të krijuar Shqipërinë e Madhe. ”

E vërteta është se në tekstin origjinal të “Deklaratës së përbashkët të partive parlamentare shqiptare në Maqedoni” nuk ka kurrfarë thirrje për krijimin e Shqipërisë së Madhe, përkundrazi në të promovohen “prosperiteti dhe stabiliteti afatgjatë i Maqedonisë”, si një shtet i përbashkët i të gjithë qytetarëve të saj.

Agjencia shtetërore ruse “Sputnik News” ka botuar 17 tekste në anglisht dhe 54 tekste në serbisht me të cilat promovohet teza e qeverisë së Putinit, së bashku me mesazhe të tmerrshme propaganduese si “NATO dëshiron të shohë gjak në rrugët e Maqedonisë”. Ndërkohë, versionet e kësaj teorie të konspiracionit shpërndaheshin nga politikanë dhe media serbe në kontekst të konfliktit me Kosovën.

Tre vjet më vonë, përmbushja e pjesëve kryesore të kësaj deklarate, siç është ndryshimi i statusit juridik të gjuhës shqipe, nuk çoi as në “shqiptarizimin” e Republikës së Maqedonisë së Veriut, as në ndarjen e saj – shpërbërjen, e as në bashkëngjitje të territoreve me shtetet fqinje. Përkundrazi, me përjashtim të partive që janë të lidhura me mbështetjen politike ruse dhe serbe, vendi ka një konsensus që deri në fund të procesit të anëtarësimit formal në NATO në vitin 2020, po zvogëlohen rreziqet e sigurisë dhe po përmirësohet mundësia për të realizuar interesa të tjera strategjike afatgjata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat