Ahmeti: Sundimi i së drejtës dhe vetingu në fokusin e mandatit të ardhshëm të BDI-së

Maqedonia

Ahmeti: Sundimi i së drejtës dhe vetingu në fokusin e mandatit të ardhshëm të BDI-së

Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 18:32
Ali Ahmeti

“BDI në mandatin e ri do të angazhohet për sundimin e së drejtës, për veting në institucione, duke filluar nga prokuroria, gjyqësia, komunat. Gjithsesi se një nga prioritetet është edhe ekonomia, që të sigurojmë kushte më të mira për punë për gjithë ndërmarrësit që janë të interesuar të investojnë”.

Këtë e deklaroi sot kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, gjatë vizitës së zonës industriale në Vizbeg. Ndërsa i pyetur për koalicionet parazgjedhore, ai tha se nuk ka frikë nga koalicioni eventual në mes Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Të njëjtën pyetje çdo vit ma parashtroni. Nuk kam asnjë paranojë në lidhje me koalicionin e tyre”, tha Ahmeti.

Kurse sa i përket parimit “fituesi me fituesin” për formimin e qeverisë, ai tha se kjo do të respektohet, por shtoi se në vitin 2016 situata ka qenë specifike.

“Disa herë e kam sqaruar këtë. Nuk dua të përsëritet 2016, ka qenë situatë specifike, situatë e jashtëzakonshme në shtet. Nuk dua të përsëritet. BDI në këto zgjedhje do të shkojë e pavarur me programin e saj politik”, tha Ahmeti.

Për emrat që do të jenë në listën për deputetë, Ahmeti tha se do të jenë ata emra që janë të pranueshëm për votuesit e tyre dhe gjithë qytetarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat