Spasovski në takim me Kluge: Maqedonia e Veriut në mënyrë shembullore i zbaton rekomandimet e OBSH-së për coronavirusin

Maqedonia

Spasovski në takim me Kluge: Maqedonia e Veriut në mënyrë shembullore i zbaton rekomandimet e OBSH-së për coronavirusin

Më: 28 shkurt 2020 Në ora: 13:08
Pamje nga takimi

Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, nga ministrja e Financave, Nina Angellovska dhe nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Andrej Zhernovski, sot realizoi takim me Hans Kluge, drejtor rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropë.

Në takim u bisedua për situatën me coronavirusin në botë dhe në vend, si dhe për mekanizmat e mbrojtjes që i ndërmarrin shtetet, si dhe për reformat në shëndetësi, me qëllim qytetarë të shëndetshëm.

Në takim u vlerësua se Maqedonia e Veriut në raport me situatën me coronavirusin, tregoi gatishmëri të lartë në zbatimin e rekomandimeve të OBSH-së në pjesën e parandalimit dhe në reagimin për mbrojtje dhe se është shembull i suksesshëm se si duhet të veprojnë edhe vendet tjera.

Në takim u ndanë edhe informacionet më të reja rreth situatës me coronavirusin dhe u konstatua si i rëndësishme informimi në kohë i qytetarëve për masat e vetëmbrojtjes, ndjekja e rekomandimeve të OBSH-së nga ana e institucionet shtetërore kompetente dhe ndërmarrja e masave në kohë për izolim të rasteve potenciale që shteti ynë po bën.

“Kemi ndërmarrë të gjitha masat e duhura, sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe të gjitha masat tjera për të cilat vlerësuam se janë të duhur, me qëllim të ndërprerjes së përhapjes së virusit. Ishim të vetëdijshëm për mundësinë e përhapjes së virusit edhe në vendin tonë dhe prandaj kemi bërë përgatitjet e duhura. Shtabi i krizave, i formuar për përballje me korona virusin, me përkushtim i ndjek informacionet e reja dhe është i gatshëm që në kohë të jep udhëzimet e duhura për reagim”, tha kryeministri Spasovski.

Në takim u bisedua edhe për reformat e rëndësishme në sistemin shëndetësor. Bashkërisht u theksua rëndësia e motivimit të punonjësve shëndetësor, të cilët do të punojnë në vendin e tyre të lindjes. U theksua përkushtimi për punonjës të shëndetshëm, të cilët në këtë mënyrë mund të jenë produktiv edhe në ekonomi. Bashkërisht u theksua përcaktimi drejt zhvillimit të kulturës së shëndetësisë dhe mënyrës së shëndetshme të jetesës, drejt të cilit shteti ynë është i gatshëm të punojë bashkë me OBSH-në, si vend i cili është i përkushtuar drejt përkushtimit dhe kontributit për plotësimin e kritereve dhe vlerave evropiane.

Në këtë drejtim është vlerësuar se vendi është në rrugë të drejtë dhe se duhet të vazhdojë me reformat që janë të rëndësishme për qytetarët.

Përfaqësuesit e OBSH-së nga Evropa janë këtu për Forumin e dytë nacional “Nëna të shëndetshme, foshnje të shëndetshme: Maqedonia e Veriut u përgjigjet sfidave”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat