Maqedoni e Veriut, Dibra e Madhe në karantinë

Maqedonia

Maqedoni e Veriut, Dibra e Madhe në karantinë

Më: 15 mars 2020 Në ora: 06:43
Foto ilustrim

Autoritetet qeveritare kanë shpallur gjendje emergjence në Dibër të Madhe dhe në komunën fqinje të Qendrës së Zhupës për shkak të koronavirusit. Në dy komunat është formuar një shtab operacional për ballafaqimin me krizën, përkatësisht për zbatimin e masave të planifikuara për këtë situatë.

Në fillim një çift bashkëshortor nga Dibra që ishte kthyer nga Italia veriore kishte rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit. Më pas familjarë dhe miq të tyre po ashtu ishin infektuar.

Në pamundësi për të shkuar në Dibër për shkak të gjendjes së krijuar, Zëri i Amerikës bisedoi me telefon me kryetarin e komunës, Hekuran Duka i cili thotë se banorët po zbatojnë masat e imponuara, por se spitali i qytetit ka vetëm dy infektologë dhe një teknik - të pamjaftueshëm për t’u përballur me gjendjen.

“Ne i kërkojmë qeverisë së Republikës së Maqedonisë (së Veriut) përmes ministrit të Shëndetësisë dhe shërbimit të epidemiologjisë që të sjellin ekipe të specializuara për të zbuluar raste të reja të të infektuarve me koronavirus. Me kapacitetet që kemi ne nuk jemi në gjendje të përballemi me këtë sëmundje. Nga rajoni i Dibrës ka 11 raste të diagnostikuar me koronavirus dhe kjo, sipas normave epidemiologjike, është një gjendje alarmante për këtë lloj sëmundjeje”, thotë z. Duka.

Në Dibër janë mbyllur restorantet e kafenetë dhe punojnë vetëm dyqanet e ushqimeve, dhe institucionet më të rëndësishme.
Zoti Duka thotë se nuk ka tensione në qytet, por ka njerëz të cilët janë në marrëdhënie pune në Shkup, Gostivar ose qytete të tjera, apo anasjelltas dhe që kanë ngelur të bllokuar pa pasur mundësi të dalin apo hyjnë në Dibër, teksa thekson përpjekjet e Shtabit të Krizës për zgjidhjen e problemit të atyre punëtorëve.

“Kufizimi i lëvizjeve dhe vendosja e postblloqeve policore në hyrje të Dibrës dhe Qendrës Zhupë është e mirëseardhur ngase presim që situata të vendoset nën kontroll dhe që lufta ndaj kësaj të keqeje të marrë fund me një përfundim pozitiv”, thotë z.Duka
Kryeministri i qeverisë teknike, Oliver Spasovski tha në një konferencë shtypi se “mendimet dhe zemrat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut sot janë me qytetarët e Dibrës dhe të Qendrës Zhupa. Nata e parë dhe mëngjesi i sotëm kaluan qetë, pa incidente dhe është me rëndësi që banorët e dy komunave ta japin kontributin e tyre në këtë mënyrë për ballafaqimin me të gjitha masat që i parashah gjendja e emergjencës”, tha zoti Spasovski.

Aktualisht në klinikën për sëmundje ngjitëse në Shkup janë shtrirë nëntë persona; ndër ta një fëmijë 15 vjeç nga Dibra. Ndërkaq, është përkeqësuar gjendje e gruas që ishte pacientja e parë nga Dibra, sipas njoftimeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Analizat për gjashtë dibranë të tjerë dhe një shtetas të huaj ende nuk janë gati.

Ndërkaq, pacientja e parë e regjistruar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut, një grua 50 vjeçe nga Shkupi e kthyer nga një qëndrim në Italinë e Veriut është shëruar dhe sipas Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, ajo do të lirohet së shpejti nga spitali për në shtëpi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat