Sot nis edukimi joformal i nxënësve dhe parashkollorëve në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Sot nis edukimi joformal i nxënësve dhe parashkollorëve në Maqedoninë e Veriut

Më: 16 mars 2020 Në ora: 09:35
Foto ilustrim

Filloristët dhe fëmijët e moshës parashkollore prej sot do të kenë mundësi të ndjekin përmbajtje edukuative në tre kanalet e servisit nacional televiziv TVM, të nxjerrë nga programet mësimore sipas të cilave për momentin po edukohen në shkolla dhe kopshte, të cilat ndërkaq, për momentin janë të mbyllura me vendim të Qeverisë, si pjesë e masave për mbrojtje të shëndetit publik për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit.

Siç kumtoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kjo është zgjidhja e cila doli nga takimi i javë së shkuar të MASH-it në të cilin morën pjesë përfaqësues të institucioneve nga fusha e arsimit, UNICEF-it, përfaqësues të organizatave qytetare dhe përfaqësues nga menaxhmenti i Radio Televizionit të Maqedonisë, ndërkaq i cili ishte organizuar në pajtim me konkludimin e Qeverisë për t’u gjetur mënyrë alternative që edukimi i fëmijëve të vazhdojë gjatë dhe në periudhën derisa procesi formal edukativo-arsimor përkohësisht është ndërprerë.

“Duke filluar nga e hëna, në tre kanalet e TVM-së, në termine adekuate gjatë ditës për të cilat opinioni do të informohet në afat sa më të shkurtë, mësimëdhënës të shkollave fillore do të realizojnë orë të shkurtuara shkollore në të gjitha gjuhët në të cilat organizohet mësimi në shkollat e vendit. Ky edukim joformal përmes të ashtuquajturës TV klasë, do të realizohet deri në hapjen e sërishme të shkollave dhe kopshteve dhe vazhdimi normal i procesit formal edukativ-arsimor i nxënësve dhe fëmijëve të shkollës parashkollore. Grup i posaçëm punues është i angazhuar dhe tashmë po realizohet plani për fillim të suksesshëm të iniciativës”, thuhet në kumtesën e MASH-it.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës paralajmëroi edhe se në bashkëpunim me Byronë për zhvillim të arsimit dhe Qendrës për arsim profesional dhe trajnim, në pajtim me dispozitat e Ligjit për arsim fillor dhe Ligjit për arsim të mesëm, si dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, do të përgatisë plan për organizimin e mësimit deri në përfundimin e vitit shkollor, për çka më tepër hollësi do të ndahen me opinionin në periudhën në vijim.

MASH u bën thirrje mësimdhënësve të tregojnë interes dhe vullnetarizëm për t’u kyçur në realizimin e kësaj iniciative.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat