MPB: Gjendja e sigurisë në Dibër është stabile, nuk ka prishje të rendit dhe qetësisë publike

Maqedonia

MPB: Gjendja e sigurisë në Dibër është stabile, nuk ka prishje të rendit dhe qetësisë publike

Më: 27 mars 2020 Në ora: 17:04
MPB

Gjendja e sigurisë në rajonin e komunave Dibër dhe Qendër Zhupë, ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, është stabile dhe pa pengesa po realizohen moto-patrullat që i zbatojnë nëpunësit policorë në mjediset dhe paralagjet e qytetit. Nuk janë regjistruar tubime të qytetarëve në vende publike, nuk ka prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe nuk janë të regjistruara fatkeqësi komunikacioni. Në terren, pa problem po zhvillohen aktivitetet ndaj personave që janë vendosur nën masa të vetëizolimit, mbikëqyrjes shëndetësore dhe izolimit shtëpiak.

Siç kumtoi MPB, në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë pa probleme po realizohen masat për kontroll gjatë hyrjes së automjeteve të udhëtarëve dhe të tjera, si dhe aktiviteteve për furnizim me ushqim, barëra, mjete për higjienë personale dhe nevoja të tjera për qytetarët në të dy komunat. Të gjithë personat juridikë të cilët kryejnë furnizimin të paraqiten në Shtabin e krizës në telefonin fiks 046/831 051 pas çka, automjetet e tyre me shoqërim policor do të arrijnë deri te objektet adekuate tregtare.

“Hyrja është e lejuar vetëm për persona të cilët janë banorë të komunave, ndërsa njëkohësisht është pamundësuar, përkatësisht rreptësisht është ndaluar dalja e të gjithë qytetarëve të hasur në rajonin e dy komunave”, informojnë nga MPB.

Nga atje u bëjnë thirrje qytetarëve rreptësisht ta respektojnë vendimin e Qeverisë për ndalesë të lëvizjes prej orës 21:00 deri në orën 5:00 çdo ditë, si dhe në mënyrë të disiplinuar t’u përmbahen të gjitha masave të tjera të rekomanduara dhe udhëzimeve lidhur me parandalimin e përhapjes së koronavirusit Kovid-19, ndërsa të gjithë personat juridikë dhe fizikë rreptësisht t’u përmbahen udhëzimeve të nëpunësve policorë.

“Qytetarët, në numrin telefonik pa pagesë 08 0000 201 apo në 192, mund t’i paraqesin të gjitha rastet e personave të cilët i shkelin dispozitat për vetëizolim të detyrueshëm 14-ditor. Të gjithë ata të cilët i shkelin rekomandimet e dhëna, do të sanksionohen në pajtim me nenin 205 dhe 206 zë Kodit penal”, thuhet në kumtesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat