Shënohet viktima e katërt nga koronavirusi në Maqedoni

Maqedonia

Shënohet viktima e katërt nga koronavirusi në Maqedoni

Më: 28 mars 2020 Në ora: 18:20
Ilustrim

Sot në mëngjes ka vdekur një tjetër person nga koronavirusi në Maqedoni – duke e quar numrin e të vdekurve në katër.

Viktima ishte një grua 66 vjeçare nga Struga.

Sipas anketës së epidemiologëve, familja e saj kishte qenë mysafir në Dibër, pak para se të shpallet gjendje krize dhe kishte pasur kontakt me një nga mjekët e infektuar atje. Edhe burri i saj është gjithashtu pozitiv me virus.

Përmes mjekut amë, pacientja kishte caktuar testim katër ditë më parë, por nuk ishte shtruar në spital.

Ministria do të hetojë nëse ka një lëshim mjekësor në këtë rast.

“Për shkak të përkeqësimit të menjëhershëm të gjendjes së pacientit, mjeku amë ka rekomanduar shtrimin në spital në repartin e Sëmundjeve Infektive në Spitalin e Ohrit. Ministria njofton hetim të plotë të rastit për të përcaktuar nëse ka pasur lëshim mjekësor” deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Gjatë 24 orëve të kaluara, janë regjistruar 22 raste të reja me koronavirus në Maqedoni. Nga të infektuarit e rinj nëntë janë nga Shkupi, tre nga Kumanova dhe Struga, dy nga Tetova, Prilepi dhe Dibra, si dhe një nga Manastiri.

Të prekurit e fundit nga virusi në Maqedoni

Shkup – 9

Kumanovë – 3

Strugë – 3

Tetovë – 2

Prilep – 2

Dibër – 2

Manastir – 1

Me rastet e reja, deri sot në ora 12, numri i përgjithshëm i të prekurve është 241, tre janë shëruar dhe 4 persona kanë vdekur.

Pas rastit të djeshëm të infektimit me virus korona, në Klinikën e Kardiologjisë, i gjithë personeli është dërguar për testim ku të gjitha rezultatet janë negative për Covid-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat