Nesër hapen xhamitë në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Nesër hapen xhamitë në Maqedoninë e Veriut

Më: 11 maj 2020 Në ora: 16:32
Foto ilustrim

Bashkësia Fetare Islame nuk ndryshon qëndrimin për hapjen e xhamive. Vendimit të së premtes, vetëm iu shtuan masat se si duhet vepruar.

Falja brenda xhamisë do të bëhet në pika të caktuara me qëllim të ruajtjes së distancës.

Besimtarët do të mund të falen edhe jashtë xhamisë, por gjithnjë duke respektuar rekomandimet.

“Dryni nga dera e xhamisë që nesër do të hiqet me vendim të Bashkësisë Fetare Islame, mirëpo duke respektuar rekomandimet shëndetësore kundër pandemisë CoVid-19″.

Myftiu i Shkupit Qenan Ismaili sqaron se çdo imam do të sigurohet që po mbahet distanca prej 1.5 metra përpara se të nis falja, duke përdorur maska dhe dezinfektues.

Udhëzimet do t’i zbatojë çdo këshill xhamie.

Ata me simptoma të gripit nuk do të lejohen të hyjnë, abdesin do ta bëjnë në shtëpi, ndërsa sexhadet do të duhet t’i marrin me vete.

“Këtu do të respektohen të gjitha masat që ka ndërmarr shteti si në vendet tjera publike, si bankat, marketet, e objekte të ndryshme që tani më janë në funksion. Nga ana tjetër, në xhami qëndrohet më së paku. Nuk mund të jetë faktor xhamia sepse ne e shohim si lëvizin njerëzit nëpër tregje e markete”.

Sipas BFI-së, lutjet e së premtes do të bëhen vetëm 10 minuta, kurse ligjërata fetare nuk do të ketë. Për shkak të orës policore, vetëm dy nga pesë vaktet e obligueshme do të mund të falen në xhami.

Qytetarët thonë se do të respektojnë udhëzimet, por ka edhe prej atyre që nuk besoj se CoVid-19 është diçka më e rrezikshme se gripi sezonal.

“Kurrgjë s’ka, e kanë shpikur atë. Virus, virus, s’ka as virus e asgjë të keqe. Po krejt në rregull është pa xhami s’kemi ç’të bëjmë, vijmë-shkojmë më mirë është të bëjmë lutjet këtu. Zoti kur na ketë shkruar”.

“Nuk di çfarë të them nëse është mirë apo keq. Po do të vijmë çdo ditë në xhami. Kjo është normale”.

Mjekët thonë se rreziku është i lartë për çdo tubim kolektiv, i cili mund të çoj në një valë të re të infeksioneve.

Mikrobiologu Dukagjin Osmani tha se distanca dhe masat mbrojtëse janë jetike.

“Virusi ende është prezent në Maqedoni. Ende ka persona të sëmurë dhe të infektuar, qoftë edhe të tillë asimptomatik, të cilët në çdo moment mund ta shpërndajnë edhe më tej sëmundjen. Për këtë arsye, distanca sociale dhe bartja e maskës duhet të respektohen medoemos”.

Vendimi për hapjen e xhamive u mor të premten me kërkesë të Rijasetit të BFI-së.

Deri tani xhamitë janë hapur vetëm në disa vende të rajonit edhe atë në Bosnjë, Kroaci dhe Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat